MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 16 prill?

16.04.2019 - 08:12

1346 – Në kuvendin e pashkëve në Shkup shpallet Perandoria serbe dhe Stephen Urosh IV Dushani (Deçani) kurorëzohet Perandor mbi pjesën më të madhe të Ballkanit; qëllimi i tij ishte edhe më i gjerë për marrjen e Beogradit, Durrësit, Adrianopojës, Selanikut, dhe Konstandinopojës. Ndërsa po përgatiste një kryqëzatë kundër osmanëve, Dushani ra i sëmurë (ndoshta i helmuar) dhe vdiq në Devoll (Shqipëri jugore) më 20 dhjetor 1355. Ai u varros në një manastir afër Prizrenit (Kosovë). Më vonë eshtrat e tij u ri-varrosën në Beograd. Disa historianë konsiderojnë se ambicjet e Dushanit ishin për të krijuar një perandori të re serbe – greke (e ngjashme me perandorinë e më herëshme bullgare), për të zevendësuar Perandorinë byzantine, por pa sukses.

1521 – Martin Luter arrin në kuvendin e Vormit, ku klerikët shpresonin që ai të pendohej për mosbindjen ndaj kishës. Por udhëtimi për në Vorms ishte marshim fitoreje; Luteri u prit me entuziazëm në të gjitha qytetet ku kaloi, ndërsa në kuvendin kishtar ai u shpreh: “Nëse shkrimet e shenjta thjesht nuk arrinë të më bindin arsyeshëm, atëhere as unë nuk e pranoj autoritetin e papëve dhe as këshillat e tyre kundërthënëse. Ndërgjegja ime është skllave e Fjalës së Perëndisë, prandaj nuk mund të tërheq asgjë kundër ndërgjegjes apo të pranoj diçka që nuk është as e drejtë dhe as e sigurt. Perëndia më ndihmoftë. Amen! Me ju mbarova punë”, këto fjalë tha Luteri dhe doli nga Kuvendi. Ai u shkishërua menjëherë, por nuk u arrestua për shkak se i ishte dhënë një leje-kalimi i sigurt për 21 ditë gjatë udhëtimit nëpër territoret e kontrolluara nga Papati.

1705 – Mbretëresha e Anglisë, Anne, shkon në kolegjin Trinity, Kambrixh, Londër, dhe nderon me titullin e kalorësit Isak Njutonin – personi i parë që merr këtë titull për kontributin në shkencë. Deri atëherë, Njutoni kishte shpikur kalkulusin, kishte zbuluar efektin e diellit dhe hënës mbi valët e oqeaneve, dhe kishte kryer studime të ndryshme mbi dritën dhe ngjyrat. Isak Njuton është i njohur si një nga shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

1789 – George Washington niset nga Virxhinia për në Nju Jork për ceremoninë e përurimit si president i SHBA-së. Ceremonia zhvillohet më 30 prill dhe Uashingtoni bëhet presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara pas ratifikimit të Kushtetutës.

1844 – Lindi Anatole France, gazetar francez, autor, dhe poet. Ironik dhe skeptic – Frans konsiderohej në kohën e tij si ideali i letërsisë franceze. Anatol Frans u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi më 1921. Vdiq më 12 tetor 1924. Shkrimtari George Orwell do të shkruante se Anatol Frans përfaqësonte gjithça që klerikët dhe revanshistët – të cilët më pas do të puthnin çizmet e Hitlerit – urrenin më shumë.

1847 – Lindi Hans Auer, arkitekt zviceran – austriak, i njohur për projektimin e Bundeshaus zviceran, ku Parlamenti dhe Këshilli Federal janë vendosur në Bernë që prej vitit 1902. Auer ishte përfaqësues i rrymës së quajtur “realizmi arkitektonik”, dhe zhvilloi nocionin e hapësirës arkitektonike si aspekt të rëndësishëm të stilit dhe evolucionit. Ajo që tani konsiderohet si “teori arkitektonike moderne,” lindi nga realistët arkitektonikë të viteve 1880, përfshi Hans Wilhelm Auer (v. 1906).

1862 – SHBA, shfuqizohet skllavëria në Distriktin e Kolumbias (kryeqyteti Uashington).

1889 – Në Londër, Angli, lindi Çarli Çaplin. Karriera e tij si aktor filloi kur ishte fëmijë; në moshën 24 vjeç u bashkua me Kompaninë Keystone ( SHBA), me të cilën realizoi mbi 30 filma; më pas formoi korporatën United Artists dhe prodhoi shumë filma (nga The Gold Rush më 1925 deri më 1952 me filmin Limelight). Izoluar nga komuniteti amerikan i filmit dhe duke iu mohuar hyrja në Amerikë – pas një udhëtimi jashtë vendit – për shkak të refuzimit për t’u bërë shtetas amerikan, dhe pikëpamjeve majtiste, apo martesës me një minorene – Çaplin u vendos në Zvicër më 1952 me gruan e tij të katërt, Oona, vajza e dramaturgut të njohur amerikan Eugene O’Neill. Në vitin 1972, ai u kthye në Shtetet e Bashkuara (këtë herë iu lejua hyrja) për të pranuar një çmim special Oskar; në vitin 1975 Çaplinit iu dha titulli i Kalorësit, nga Mbretëresha e Anglisë. Dy vjet më vonë, ditën e Krishtlindjeve, Sir Çarli Çaplin vdiq në shtëpinë e tij në Vevey, Zvicër. Shumë e kanë imituar ose janë përpjekur, megjithatë, siç ka thënë kritiku i filmit, Max Sennett, “Çaplini është artisti më i madh që ka jetuar ndonjëherë”.

1917 – Pas 10 vjetësh në mërgim në Zvicër, Lenini kthehet në Rusi për të filluar revolucionin bolshevik.

1925 – Gjatë sulmit të një grupi terrorist komunist në Kishën Shën Nedelya në Sofje, 150 persona u vranë dhe 500 të tjerë u plagosën. Qeveria shpalli gjendje të jashtëzakonshme; arrestoi personat përgjegjës, të cilët në gjyq pranuan se ishin financuar dhe furnizuar me armatim nga Bashkimi Sovjetik.

1938 – Britania e Madhe njeh aneksimin italian të Abisinisë.

1939 – Stalini kërkon nga britanikët dhe francezët të nënshkruajnë së bashku me BRSS-në paktin anti – nazist. Pak muaj më pas, në orët e vona të mbrëmbjes së 23 gushtit, një pakt tjetër i kundërt do të nëshkruhej në Moskë; Pakti Ribbentrop-Molotov, apo marrëveshja sovjeto – naziste për mos-sulmim.

1972 – Apollo 16 u nis për në Hënë. Në bord ndodheshin astronautët Xhon Jang, Thomas Mattingly dhe Çarls Djuk. Jang dhe Djuk zbritën në jugperëndim të zonës ku ishte ulur Apollo 11. Astronautët mblodhën rreth 100 kg gurë hënorë, si dhe vendosën në sipërfaqe disa aparate shkencorë. Misioni zgjati 11 ditë.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe