Në lidhje me vendimin e Hollandës për të rikthyer vizat për Shqipërinë, ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca.
Në një dalje për mediat, Soreca tha se për momentin asgjë nuk ka ndryshuar dhe shqiptarët vijojnë të lëvizin të lirë në Shengen, por i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe asaj të Holandës, të vijojnë bashkëpunimin.
“Asgjë nuk ka ndryshuar për momentin, kjo ka qenë e qartë edhe në njoftimin e ambasadës së holandeze, pra vijon udhëtimi pa viza në vendet e zonës Shengen.
Më lejoni të them se ne e ftojmë si qeverinë shqiptare dhe holandeze të vijojnë bashkëpunimin në këto fusha kaq të rëndësishme si migracioni i parregullt dhe lufta kundër krimit të organizuar.
Udhëtimi pa viza është një arritje fantastike për Shqipërinë dhe qytetarët që do të thotë se ka pasur një progres shumë të rëndësishëm dhe është për të gjithë qytetarët që prej vitit 2010.
Ju e dini besoj që unë kam qenë në krye të këtij procesi që prej vitit 2010 dhe jam i bindur se autoritetet shqiptare do të marrin të gjitha masat që të ruhet kjo arritje fantastike që është bërë deri tashmë”, është shprehur Soreca.