Të premten rreth mesnatës në Prishtinë është kthyer një grup i qytetarëve nga Kosova, që kishin mbetur për një kohë në Siri.
Bëhet fjalë kryesisht për gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë, që ishin përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Familjarët që po mbaheshin nëpër kampe në Siri, u sollën në Prishtinë me avion nga Turqia.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha shkurt në aeroportin e Prishtinës se “operacioni i planifikuar për kthimin e disa qytetarëve tanë nga Siria mund të them që tashmë ka përfunduar me sukses”.
Ai paralajmëroi më shumë hollësi gjatë së shtunës, por nuk deshi të flasë për numrin e të kthyerve.
“Mund të konfirmoj që ky operacion tashmë ka përfunduar sipas planit ashtu siç ka qenë e planifikuar, që është punuar për disa muaj”, tha ai.
Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.
Në muajin shkurt presidenti amerikan, Donald Trump shkroi se “Evropa duhet të marrë mbrapsht mbi 800 luftëtarë të Shtetit Islamik të kapur në Siri – ose përndryshe Shtetet e Bashkuara mund të detyrohen t’i lirojnë dhe kjo do të bënte që ata të “depërtonin në Evropë”, tha presidenti. Aleatët duhet ta marrin parasysh mirë mesazhin, i tha Zërit të Amerikës, atëbotë ish-ligjvënësi republikan Darell Issa.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130 syresh qenë kthyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.
Autoritetet në Kosovë, besonin se edhe më tej pesëdhjetë shtetas të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në zona të konfliktit në Siri e Irak, bashkë me rreth 44 gra dhe 110 fëmijë, shumica prej të cilëve janë lindur në ato territore.
Kthimi i tyre sipas institucioneve të sigurisë paraqet sfidë të madhe për sigurinë e Kosovës.
Kthimi i grupit të parë të familjarëve të luftëtarëve shqiptarë u bë nën masa të jashtëzakonshme sigurie.