“Tipologjia kryesore përbëhet nga transferta të dyshimta”, kështu është bërë me dije në raportin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila ka zbardhur mekanizmat kryesorë përmes të cilave janë pikasur rastet kryesore të dyshimeve për pastrim parash.
Këto tipologji sipas raportit përfshijnë subjekte/shtetas të huaj dhe të pajustifikuar me dokumentacion mbështetës.
Cili sektor ka ngjallur më së shumti dyshime?
Është sektori i ndërtimit. Investimet në këtë sektor kanë ngjallur dyshime të forta për pastrim parash.
Raporti bën me dije se janë pikasur; “investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh”.
Cilat janë tipologjitë kryesore që kanë ngjallur dyshime për pastrim parash?
-Qarkullimi i lartë dhe i pazakontë i fondeve në krahasim me profilin financiar të subjektit.
-Kjo tipologji është shoqëruar dhe me raste të shumta huadhënie/huamarrje apo dhurime në vlera të larta të pazakonta mes personave fizikë apo juridikë.
-Një tjetër tipologji që është vënë re është ajo e derdhjeve apo tërheqjeve cash në vlera të larta dhe të pajustifikuara.
-Gjithashtu janë vënë re edhe mashtrime të formave të ndryshme, ashtu si dhe transaksione financiare të kryera nga persona me precedentë të mëparshëm penalë apo persona të lidhur me ata me precedentë.
Në Prokurori dhe Polici shpesh herë ka pasur raportime të dërguara për mosdeklarim të shumave apo sendeve me vlerë në kufi, një tjetër tipologji kjo e pastrimit të parave.