MENU
klinika

Flet ministri

Vulin: Serbia nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO

25.04.2019 - 19:24

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, deklaroi të mërkurën se Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s.

Gjatë një konferencë për siguri që u mbajt në Moskë, Vulin tha se shteti serb ka zgjedhur të mbetet vend ushtarakisht neutral.

Ai tha se NATO-ja me bombardimet e para 20 vjetëve mbi caqet e ushtrisë serbe “ka bërë përpjekje të vrasë Serbinë, duke vrarë të drejtën ndërkombëtare”.

“Serbia, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç, është rimëkëmbur por e drejta ndërkombëtare nuk është. Serbia është ende gjallë, por e drejta ndërkombëtare është ende e vdekur”, tha Vulin, gjatë prezantimit të tij me temën, “Siguria e Ballkanit midis sfidave globale dhe trashëgimisë rajonale”.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vulin po merr pjesë në “Konferencën e Tetë të Sigurisë Ndërkombëtare”, e cila po i zhvillon punimet në Moskë nga data 24 deri më 26 prill.

Sipas informacioneve, Vulin në axhendën e tij ka programuar edhe një takim me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu.