Një tjetër fragment kalldrëmi, që mendohet se daton një shekull më parë, është gjetur në Gjirokastrës gjatë punës për rrjetin e kanalizimeve.
Kjo është e pesta gjurmë që është zbuluar nga firma zbatuese e projektit, e cila ka pezulluar punimet në këtë zonë, deri në marrjen e një vendimi nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës, e cila do të thotë fjalën e fundit nëse kjo copëz e së kaluarës do të ruhet apo do të mbulohet sërish.
“Janë gjetur gjurmë kalldrëmesh të vjetëra. Disa edhe në thellësi edhe më të mëdha sesa kjo, ndërsa ky që ne kemi gjetur sërish është në një thellësi rreth 40-50 cm. Kjo tregon që Gjirokastra ka pasur një nivel tjetër të infrastrukturës në vitet e mëparshme”.
Inxhinierët shprehen se punimet që shkaktuan shumë debat po ecin me ritme të shpejta.
“Pritet që shumë shpejt të përfundojë e gjithë infrastruktura nëntokësore. Njëkohësisht në segmentet ku kjo infrastrukturë ka përfunduar, ne kemi filluar me kalldrëmin e ri, me trotuaret, me veshjen e trotuareve me pllaka guri dhe me të gjithë pjesën tjetër që parashikon projekti”.
Projekti i kalldrëmit të pazarit të Gjirokastrës pritet të përfundonte në muajin tetor të vitit të kaluar.