MENU
klinika

Pse jo vetë ai?

Trump dërgon Pompeon të takojë Putinin

10.05.2019 - 15:26

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Soçi, Rusi javën e ardhshme, sipas Departamentit të Shtetit.

Pompeo do të takohet me Putinin dhe Ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov të martën për të diskutuar “gamën e plotë të sfidave dypalëshe dhe shumëpalëshe”, tha departamenti në një njoftim për shtyp. Pompeo është planifikuar të arrijë të hënën në Moskë me një ekip diplomatik.

Të dy vendet po përballen me tensione për një sërë çështjesh anembanë botës, përfshirë Venezuelën, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Ky njoftim vjen një javë pas një bisede të gjatë telefonike mes presidentit Donald Trump dhe Putinit, biseda e parë e tillë e nivelit të lartë që kur njoftimi i këshilltarit special të Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 u publikua.

Trump tha se diskutuan një shumëllojshmëri çështjesh të tjera, por jo për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e ardhshme të SHBA.

Takimi gjithashtu vjen pas anulimit të papritur të një takimi midis Pompeos dhe Kancelares Angela Merkel të Gjermanisë. Asnjë arsye nuk ishte dhënë për anulimin. Gazetarët që po udhëtonin me Pompeon nuk u ishte thënë se ku do të shkojnë më pas dhe ishin paralajmëruar se nuk mund të raportonin nga vendi ku do të shkojnë deri pas largimit.

Zyrtarët rusë thane më pas se takimi me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në qytetin Soçi të Rusisë, më 14 maj ishte arsyeja e vërtetë.

Sekretari do të takohej të martën me Merkelin dhe me ministrin e jashtëm gjerman Heiko Maas për “çështje me interes të përbashkët”, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Sirinë, sipas Departamentit të Shtetit.

Zyra e Maas tha në një deklaratë të martën se ai kishte folur me Pompeo me telefon dhe se të dy  kishin rënë dakord të gjenin shpejt një datë të re për takimin.