MENU
klinika

Starton me Gjermani-Francë

Sot nis Liga e Kombeve, detajet dhe grupet

06.09.2018 - 11:37

Kur UEFA paralajmëroi krijimin dhe strukturën e Ligës së Kombeve, pati shumë konfuzion. Formati është goxha i ndërlikuar, por baza është e thjeshtë: 55 kombëtare europiane ndahen në 4 Liga, të përcaktuara nga renditja e UEFA-s nëntorin e shkuar.

Fitueset e çdo lige shkojnë në Europian, ndërsa vendet e fundit në çdo ligë zbresin një kategori më poshtë (përveç Ligës D, ku kombëtaret lilipute si San Marino e kanë të garantuar vendin, sido që të shkojë).

UEFA pretendon se Nations League (Liga e Kombeve) do të eliminojë miqësoret pa vlerë dhe do të shkundë tërësisht futbollin e kombëtareve, që prej vitesh ka mbetur në hije, sepse përveç Europianit e Botërorit, askush nuk e ka me qejf të shohë ndeshje kualifikuese që shpesh kanë diferenca të mëdha.

topi i nations league
topi i nations league

Do të luhet për një vend në Europian, por edhe për pikë të rëndësishme në renditjen botërore të UEFA-s e FIFA-s, që përcakton edhe shortin në kualifikueset e radhës. Për kombëtaret e mëdha shërben edhe si mënyrë për të përzgjedhur 10 kokat e serisë në shortin për kualifikueset e Euro 2020.

Sa për ilustrim, nga shtatori deri në nëntor Kosova do të ndeshet 6 herë në total me Ishujt Faroe, Maltën e Azerbajxhanin dhe nëse e fiton grupin, e pret një gjysmëfinale me ndonjë rival si Gjeorgjia, Maqedonia apo Armenia. Nëse fiton dhe më pas triumfon edhe në finalen e Ligës D, Kosova shkon në Kampionatin Europian!

Diskutim identik edhe për Shqipërinë, por ne bëjmë pjesë në Ligën C dhe që këtu misioni ynë bëhet tepër i ndërlikuar, sepse duhet të fitojmë grupin me Izraelin e Skocinë, ndërsa më pas na presin emra të frikshëm si Greqia, Norvegjia apo Serbia.

liga e kombeve grupet
liga e kombeve grupet

Gjithsesi, nëse shkojmë në finale, lajmi i mirë është se edhe nëse mundemi për shembull nga Greqia, sërish shkojmë në Europian, nëse Greqia del në dy vendet e para në grupin kualifikues të Europianit.

Askush nuk i do miqësoret dhe jo rastësisht prej këtij viti ndeshjet e Anglisë janë blerë nga ITV e Sky (200 milionë sterlina në total për 4 vitet e ardhshme, Nations League e kualifikuese) dhe për herë të parë në histori nuk do të transmetohen më falas në televizion.

Sipas presidentit të UEFA-s, Ceferin, futja e Nations League do të rikthejë interesin te ndeshjet e kombëtareve dhe me kompeticionin e ri do të kenë përfitim të madh gjithë kombëtaret, sepse do të luajnë futboll të vërtetë, që do të vlejë shumë më tepër se miqësoret.

uefa
uefa

Natyrisht, UEFA fiton më shumë nga të gjithë, sepse do të arkëtojë miliona nga e drejta televizive dhe reklamat, ndërsa unioni botëror i futbollistëve paralajmëron se kompeticioni i ri do të shtojë lodhjen te futbollistët, që edhe tani luajnë një numër tepër të madh ndeshjesh çdo sezon.

PËRFITIMI FINANCIAR – UEFA përdor mënyrën më të thjeshtë të mundshme: jep premio të rëndësishme për çdo kombëtare, nga pjesëmarrja e deri tek fituesit e çdo lige. Në total janë rreth 76 milionë euro që do t’u shpërndahen 55 kombëtareve pjesëmarrëse.

Pagesa e solidaritetit për çdo skuadër përcaktohet nga divizioni ku merr pjesë dhe Shqipëria e nis me 750 mijë euro të garantuara:

Liga A: €1.5m

Liga B: €1m

Liga C: €750,000

Liga D: €500,000

Më pas, fituesit e çdo grupi përfitojnë sërish:

Fituesit e Ligës A: €1.5m

Fituesit e Ligës B: €1m

Fituesit e Ligës C: €750,000

Fituesit e Ligës D: €500,000

Katër fituesit e Ligës A do të luajnë për trofeun e UEFA Nations League në qershor 2019 dhe do të përfitojnë sërish:

Fituesi: €4.5m

Finalisti humbës: €3.5m

Vendi 3: €2.5m

Vendi 4: €1.5m

Kjo do të thotë që një skuadër nga Liga A mund të arkëtojë deri në 7.5 milionë euro; 2 milionë euro për Ligën B; 1.5 milionë për Ligën C dhe 1 milionë për Ligën D. Sot luhet ndeshja e parë Gjermani-Francë, në orën 20:45.

gjermani france
gjermani france

Gjermania do të presë Francën në atë që do të jetë ndeshja e parë e Grupit A1. Pjesë e këtij grupi është edhe Holanda. Kjo do të jetë ndeshja e parë për të dy këto skuadra që nga përfundimi i Kupës së Botës.

E vetmja mungesë për “Gjelat” do të jetë ajo e portierit Hugo Lloris, i cili është i dëmtuar. Kështu, francezët do të kenë pak a shumë të njëjtin ekip që luajti në Rusi dhe do të kërkojnë të shfrytëzojnë problemet që Gjermania tregoi në Kupën e Botës. Ndërkohë, Leroy Sane është kthyer në dispozicion të Loë, ndërsa Sami Khedira është lënë jashtë.

Statistikat

– Këto dy kombëtare janë ndeshur 6 herë në 6 vitet e fundit, me 3 fitore të marra për Francën dhe 2 për Gjermaninë.

– Gjermania ka eliminuar Francën në Botërorin 2014, ndërsa francezët janë hakmarrë në gjysmëfinalet e Euro 2016.

– Franca ka pësuar vetëm 1 humbje në 19 ndeshje.

– Gjermania ka fituar vetëm 2 nga 9 ndeshjet e fundit, duke humbur katër prej tyre.