1792 – Krijohet Bursa e Nju Jorkut (NYSE) – 24 aksionerë u mblodhën në hijen e një peme për të rregulluar çmimet e mallrave dhe këmbimin e letrave me vlerë.
Pema ndodhej në rrugën Wall (Mur) në Manhatan, Nju Jork. Rruga quhej Wall nga një mur mbrojtës që ishte ndërtuar aty në vitin 1650.
Në mot të keq, agjentët e bursës mblidheshin në një kafene, dhe kur ditët ishin me diell, ata uleshin nën pemë në Wall Street për të kryer shit-blerjen e aksioneve.
Sot, NYSE ka 51 milion investitorë të cilët përfaqësohen nga 10.000 agjentë me zyra në Wall Street duke tërhequr klientë nga shumë vende të botës.
1902 – Arkeologu grek Valerio Stais zbulon mekanizmin e Antikitherës, një kompjuter i lashtë mekanik analog (vitet 100 pes). Mendohet se koncepti për mekanizmin e ka origjinën në kolonitë e Korinthit – Syrakuza ishte një koloni e Korinthit dhe vendi i Arkimedit.
Një tjetër teori thotë se pajisja e ka origjinën nga Pergam (sot në Turqi). Biblioteka në Pergam ishte e dyta për nga rëndësia pas Bibliotekës së Aleksandrisë, me koleksione të shumta nga arti dhe shkenca.
Sipas një seriali televiziv në History Channel, mekanizmi kompjuter i Antikitherës është një evidencë më shumë se “astronautët jashtë-tokësorë kanë vizituar Tokën në lashtësi, duke lënë pas teknologjinë e tyre”. Mekanizmi u zbulua nga zhytës grekë në rrënojat e një anijeje romake afër ishullit Antikithera.
Pajisja qëndroi rreth dy vjet e paidentifikuar mes shumë artifakteve të tjera në një magazinë të muzeut arkeologjik të Athinës, derisa arkeologu Stais e dalloi se çfarë ishte.
1906 – Hapet për trafikun hekurudhor tuneli Simplon që lidh qytetet Brig të Zvicrës dhe Domodossola të Italisë, përmes Alpeve. Tuneli ishte përuruar një javë më parë nga mbreti italian Viktor Emanueli III dhe presidenti i Zvicrës, Ludwig Forrer.
1932 – Kongresi amerikan ndryshon emrin e ishullit nga ‘Porto Rico’ në “Puerto Rico”. (Port i Pasur), Ky ishull i populluar fillimisht për shekuj nga banorë vendës të njohur si Taino, ishte zbulua për Spanjën nga Kristofor Kolombi gjatë udhëtimit të tij të dytë në Amerikë më 19 nëntor 1493.
Spanja e mbajti ishullin për më shumë se 400 vjet pavarësisht nga përpjekjet franceze, holandeze e britanike për pushtim. Më 1898, Spanja ia dorëzoi ishullin Shteteve të Bashkuara, sipas kushteve të Traktatit të Parisit që shënoi humbjen e Spanjës në luftën Amerikano-Spanjolle.
Në vitin 1917, SHBA u dha Puerto Rikanëve të drejtën e shtetësisë amerikane. Gjuhët zyrtare në Porto Riko janë spanjisht dhe anglisht, me spanjishten si gjuhë kryesore, pavarësisht se një ligj i vitit 1902 e cilëson anglishten si gjuhë të vetme zyrtare.
1933 – Vidkun Kuisling formon partinë nacional- socialiste (naziste) të Norvegjisë. Në fjalorin politik, ‘kuisling’ do të thotë ‘një person i cili bashkëpunon me pushtuesin për të ardhur në pushtet’. Termi kuisling u përdor për herë të parë nga gazeta britanikeTimes, në një editorial botuar më 19 prill 1940 , me titull “Kuislingëve kudo”, duke iu referuar Vidkun Kuislingut, i cili ndihmoi nazistët gjermanë të pushtonin Norvegjinë, që ai vetë të mund të vihej në krye të qeverisë.
1961 – SHBA – Kubë; Fidel Kastro ofron për të shkëmbyer të burgosurit e Gjirit të Derrave me 500 buldozerë. Personat ishin kapur gjatë operacionit katastrofë të Gjirit të Derrave në Kubë më 17 prill 1961 i kryer nga një grup klandestin i financuar pjesërisht nga qeveria e SHBA-së.
Policia e Kastros e mposhti sulmin brenda pak ditësh duke zënë rob 1.200 nga 1.500 personat e armatosur, të cilët u dënuan me deri 30 vjet burgim nga gjykata në Havanë. Më vonë vendimit të gjykatës iu shtua se ata mund të liroheshin kundrejt një shume prej 62 milionë dollarësh.
Pas kësaj, emigracioni kuban në SHBA zhvilloi privatisht një fushatë të gjërë për grumbullimin e fondeve dhe siguroi lirimit të tyre, me përjashtim të ndonjërit që u lirua vite më vonë
1968 – Organizata evropiane e kërkimeve në Hapësirë lëshon satelitin e saj të parë në orbit për qëllime komunikimi.
1989 – Nelson Mandela diplomohet nga Universiteti i Afrikës së Jugut në moshën 70 vjeçare – vdiq më 5 dhjetor 2013.
1989 – Portreti “Dr Gachet” nga piktori Vincent van Gogh nxirret në ankand për 825 milionë dollarë. Dr Paul Gachet u kujdes për shëndetin e Van Gogut në muajt e fundit të jetës së tij. Van Gogh i shkroi vëllait të tij në vitin 1890 për këtë pikturë:
“E kam bërë portretin e Dr. Gachet duke I dhënë pamjes së tij një shprehje melankolike, e cila mund të duket edhe si ngërdheshje me ata që e shohin atë…Ai duket i trishtueshëm, i butë, por i qartë dhe inteligjent, ashtu siç duhet të pikturohet një portret që të mund të vështrohet si sot edhe 100 vjet më vonë”.
1990 – Organizata Botërore e Shëndetësisë e heq homoseksualitetin nga lista e sëmundjeve mendore.