Kryeministri i Kosovës pritet së shpejti të takohet personalisht me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Sipas mediave kosovare raportohet se takimi do të mbahet në Berlin më datë 6 qershor, ndërsa nuk bëhet e ditur ende axhenda e bisedimeve.
Njoftimi vjen pas Samitit të Berlinit, ku Haradinaj u raportua se ishte ndjerë në trysni përballë kryeqeveritares gjermane dhe njerëzve të tjerë të shtetit kur në tryezë ishte shtruar çështja e dialogut me Beogradin, dhe kryesisht e taksës maksimaliste kundrejt Serbisë.
Ndërkaq, vetëm një ditë më parë Haradinaj konfirmoi se dy qeveritë vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë.
Nëpërmjet një statusi në Facebook ai bëri të ditur pozicionin e Gjermanisë për t’i dhënë zgjidhje kërkesës së ligjshme të Prishtinës për liberalizimin e vizave pasi janë përmbushur kriteret e nevojshme.
Vizat por edhe sqarimi i pozicioneve rreth konfliktit Kosovë-Serbi pritet të dominojnë takimin dypalësh.
Haradinaj mbetet nga të paktët kryeministra të Kosovës që priten në Gjermani nga Merkel.
Kujtojmë se presidenti Hashim Thaçi apo kryeparlamentari Kadri Veseli kanë pasur raporte më të acaruara me Berlinin zyrtar dhe janë takuar me kancelaren gjermane vetëm në kuadër të samiteve të ndryshme, edhe në kohën kur kreu aktual i shtetit shërbente si kryeministër.