MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 24 maj?

24.05.2019 - 08:08

15 pes – Lindi Germanicus, gjeneral romak – njihet në histori për kontrollin e fiseve gjermanike por edhe për shtypjen e revoltës ilire në vitet 6 – 9. Ilirët kishin ngritur krye për shkak të taksave të larta nga Roma. Fillimisht, për të shtypur kryengritjen u dërguan gjeneralët Tiber dhe Messala. Por ndërsa revolta filloi të përhapej në Mezi e Traki, Germaniku me legjionet e tij u thirr për ndihmë; ai arriti t’i përçajë udhëheqësit kryengritës dhe pastaj sulmoi forcat e tyre duke vrarë, kapur, shitur si skllevër ose dëbuar nga vendi elementët turbullues. Germaniku vdiq në vitin 19, dyshohet se u helmua nga rivalët e tij për fronin e perandorit.

1218 -Kryqëzata e pestë niset nga Akra e Palestinës për në Egjipt. Synimi i tyre ishte të merrnin Kajron. Kryqtarët marshuan në jug në drejtim të Kajros por u kthyen pasi nuk kishin furnizime të mjaftueshme, ndërsa një sulm natën nga sulltan Al- Kamil u shkaktoi atyre humbje të rënda dhe në fund dorëzim. Si rrjedhim, sulltani Al – Kamil ra dakord për një marrëveshjee paqeje me Evropën, e cila zgjati 8 vjet.

1607 – 100 kolonë anglezë zbarkojnë në Jamestown, kolonia e parë angleze në Amerikë .

1626 – Peter Minuit blen ishullin e Manhatanit nga indianët për 60 guilder holandeze. Minuit ishte guvernator holandez kolonial i Nju Amsterdamit, sot Nju Jork.

1689 -Parlamenti anglez miraton Aktin e tolerancës për mbrojtjen e protestantëve. Katolikët u lanë jashtë këtij pakti, qëllimisht.

1832 -Mbretëria parë e Greqisë shpallet në Londër nga Konferenca e Fuqive të Mëdha (Britani, Francë, Rusi cariste).

1844 – Samuel Morse dërgon mesazhin ” Ç’ka bërë Perëndia ” (citat biblik, Numrat 23:23). Mesazhi u dërgua nga Dhoma e Gjykatës së Lartë për ligjvënësit në Kapitol, tek ndihmësi i tij, duke inauguruar linjën e parë telegrafike.

1883 -Ura e Brooklynit në New York City hapet për trafikun. Për ndërtimin e saj u deshën 14 vjet. Ura lidh ishullin Manhattan me bashkinë më të populluar të Nju Jorkut, Brooklyn. Forca lëvizëse prapa gjithë këtij projekti, John Roebling, ishte emigrant gjerman i cili kishte punuar për qeverinë prusiane si ndërtues rrugësh. Ai doli me idenë e ndërtimit të një ure nëpër lumin East, pasi gjatë një udhëtimi me traget përgjatë lumit, trageti ngeci në akull dhe Roebling mbeti i bllokuar për orë të tëra.

1940 – Duke vepruar me urdhër të udhëheqësit sovjetik Josif Stalin, agjenti i NKVD-së, Josif Grigulevich ndërmerr një përpjekje për vrasje e revolucionarit marksist rus në mërgim, Leon Trotsky në Coyoacan, Meksikë – përpjekja doli e pasuksesshme. Por më 20 gusht 1940 Trocki u sulmua përsëri nga agjenti tjetër i NKVD-së, Raman Mercader. Sipas James P. Cannon, sekretari i Partisë Punëtore Socialiste në SHBA (1940), fjalët e fundit të Trockit ishin “Nuk do ta mbijetojë këtë sulm. Stalini më në fund ia arriti qëllimit, më parë u përpoq, por pa sukses”.

1956 – Në Lugano, Zvicër, zhvillohet festivali i parë i këngës në Euro Vision. Historikisht, këngëtarët fitues në Euro Vizion që më pas kanë patur karrierën më të suksesshme muzikore veçohen anëtarët e grupit ABBA, fitues më 1974; dhe Celine Dion, fituese më1988.

1961 – Qipro anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

1964 – Lima; përleshje tifozësh në ndeshjen Peru – Argjentinë; më shumë se 300 tifozë u vranë dhe 500 të tjerë u plagosën. Ndeshja ishte për kualifikim për Olimpiadën 1964 dhe tifozët peruan u egërsuan kur arbitri i anuloi një gol skuadrës së tyre.

1999 – Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, Hollandë, padit Sllobodan Millosheviqi dhe katër të tjerë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.