MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 29 maj?

29.05.2019 - 08:09

1453 – Pas rrethimit prej 2 muajsh, Konstandinopoja bie në duart e trupave osmane të udhëhequra nga 21 vjeçari, sulltan Mehmed II. Pas kësaj, qyteti merr emrin Stamboll, duke u bërë kryeqyteti i perandorisë osmane dhe kryeqendra e kulturës islame, ndërsa Hagia Sofia u shndërrua në xhami – me kaq mori fund edhe Perandoria Bizantine së bashku me perandorin e saj Konstandin XI; në prag të pushtimit, perandorit iu dha një shteg për të iku, por ai u përgjigj: ‘Zoti mos e dhëntë të jetoj si perandor pa perandori’ dhe vdiq duke luftuar. Trupi i tij u gjet mes të vrarëve dhe u dallua nga këpucët e kuqe me dy shqiponja të zeza dy krerëshe qëndisur në to. Kryeqyteti i Bizantit që kishte filluar me Konstadinin e madh nga Nishi i Ilirisë më 330, përfundoi me Konstandinin nga Dragashi i Dardanisë në vitin 1453. Pas kësaj, në 200 vitet e ardhshme, perandoria osmane do të vazhdonte zgjerimin e saj.

1630 – John Winthrop fillon të shkruajë Historinë e New Englandit. Ai ishte avokat i pasur anglez, dhe një nga figurat kryesore të themelimit të Kolonisë së Gjirit Massachusets –kishte ikur nga Anglia për arsye fetare, si puritan. Edhe pse i pavlerësuar për kontributin letrar, Winthrop e kaloi jetën e tij duke shkruar rreth ngjarjeve historike dhe çështjeve fetare. Ditari i tij mbeti i pabotuar deri në fund të shekullit të 18. Historinë e Nju Englandit e përfundoi më 1649. Vdiq po atë vit, 61 vjeç.

1733 – Këshilli i qytetit Quebek rifuqizon ligjin mbi të drejtën e kanadezëve për të mbajtur skllevër indianë.

1736 – Lindi Patrik Henri, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara dhe guvernatori i parë i shtetit Virginia. Po më 29 maj, viti 1765, Patrik Henri mbajti fjalimin e tij historik “Më jep liri, ose vdekje” kundër Aktit britanik të Pullës, të cilin e dënoi si tirani; fjalimi në legjislaturën e kolonisë Virginia shkaktoi reagime të ashpra nga pro-britanikët, me britma: “Tradhëti! Tradhëti!” dhe Patrik iu përgjigj: “Nëse kundërshtimi i tiranisë është tradhëti, le të tradhëtojmë sa më shumë!” Patrik Henri vdiq me 6 qershor 1799.

1849 – Këtë ditë në fushatë politike, Abraham Linkoln tha: “Ju mund t’i gënjeni disa njerëz gjithë kohën, dhe të gjithë njerëzit disa kohë, por nuk mund t’i gënjeni të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës”.

1874 – Hyri në fuqi Kushtetuta e tanishme e Zvicrës.

1903 – Grusht shtet: Alexander Obrenoviç, mbreti i Serbisë dhe mbretëresha Draga, vriten në Beograd nga organizata Dora e zezë.

1910 – Papa Pius X shpall enciklikën Editae Saepe, kundër reformatorëve të kishës. Për gati 2000 vjet, peshkopët e Romës (Papët) kanë trajtuar tema sidomos në kohë të shqetësimeve teologjike nëpërmjet qarkullimit të letrave papale. Këto letra u bënë të njohura si enciklike (qarkore). Aty nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, letra enciklike filloi të marrë formën që ka sot, duke u bërë pjesë e rëndësishme e mësimit teologjik katolik.

1916 – Miratohet stema zyrtare e presidentit amerikan. Më 1918, u vendos që kjo stemë të paraqitej krahas presidentit në çdo vend ku ai shkonte për vizitë.

1919 – Parashikimi i Albert Einsteinit mbi thyerjen e dritës konfirmohet nga Arthur Eddington (1882-1944), astronom britanik, fizikant, matematikan, filozof.

1924 – Greqi, një grup refugjatësh nga Konstandinopoja themelojnë në Athinë Klubin sportiv AEK (Bashkimi Sportiv i Konstandinapolit). AEK është një nga klubet më të suksesshme në futbollin grek.

1942 – Këngëtari amerikan Bing Crosby, me “White Christmas”, shënon rekordin më të lartë të shitjes së disqeve deri më sot, me mbi 100 milionë kopje. “White Christmas” është kompozim i Irving Berlinit. Thuhet se kur përfundoi shkruajrjen e këngës më 1940, në Quinta, Kaliforni, Irving Berlin vrapoi tek telefoni për t’i thënë agjentit të tij të tregut se sapo kishte kompozuar këngën më të suksesshme ndonjëherë në botë.

1958 – Real Madrid fiton për herë të parë Kupën e Evropës, në Bruksel. Ky klub futbolli, u krijua në vitin 1902, është klubi më i pasur në botë. Një studim nga Universiteti amerikan i Harvardit arriti në përfundimin se Real Madrid është një nga 20 emrat më të rëndësishëm në fushën e reklamave dhe i vetmi klub me trajnerët dhe lojtarët më të njohur. Real Madrid ka rreth 287 milionë tifozë në mbarë botën, ndërsa revista amerikane Forbes e vlerëson se ka një pasuri prej rreth 1,323 miliardë dollarësh, i dyti në botë pas Manchester United.

1967 – Papa Pali VI shpall emrat e 27 kardinalëve të rinj, duke përfshirë Karol Wojtylan, kryepeshkopin e Krakovit, Poloni, i cili më vonë u bë Papa Gjon Pali II.

1985 – Juventusi fiton për herë të parë Kupën e Evropës në futboll– ndeshja u zhvillua në Bruksel dhe rezultoi në një trazirë tifozësh, e cila shkaktoi 39 të vdekur. Klubi Sportiv Juventus u themelua më 1897 në Torino nga një grup studentësh dhe menaxhuar më pas nga familja industrialiste Agnelli, “Juve” përbën klubin sportiv më të vjetër në Itali, dhe klubin e parë të futbollit profesionist italian.

1997 – Shkencëtarët njoftuan se kishin zbuluar lloje të reja fosilesh të njeriut. Fossilet 780,000 vjeçare nga rajoni Grand Dolina në Spanjën veriore janë nga lloje deri atëhere të panjohura të njeriut primitiv. Antropologët u dhanë këtyre specieve emrin Homo Antecessor (nga latinishtja për pionier apo explorues) – zbuluesit thonë se eshtrat u përkasin stërgjyshorëve të drejtpërdrejtë të njerëzve dhe Neandertalëve.

2001 – Shpallet Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara. Dy vjet të shkuara, më 1999, OKB-ja kishte filluar një operacion të pashembullt të llojit paqeruajtës, në Kosovë (UNMIK).