Këshilli i Investimeve zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, ku u diskutua “Mbi Stimulin e Investimeve dhe Sigurinë juridike të Pronës”.
I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, si dhe kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj u shpreh se respektimi i të drejtave të pronësisë dhe regjistrimi i plotë dhe përfundimtar i pronës mbetet sfidë e qeverisjes.
Ministrja theksoi se një qasje koherente, jo e fragmentuar ndaj problemeve të pronësisë, konsiderohet thelbësore për ekonominë e një vendi dhe përbën parakusht për stimulimin e investimeve.
“Çdo progres në këtë fushë rrit sigurinë ligjore për investitorët, nxit transparencën në mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit, si dhe reflektohet menjëherë në raportet ndërkombëtare mbi reformat në Shqipëri”, u shpreh Denaj.
Ministrja ftoi bizneset pjesëmarrëse në Këshillin e Investimeve, por jo vetëm, që të kontribuojnë në draft ligjin e ri të unifikimit të investimeve që Ministria e Financave ka publikuar për konsultim publik, i cili synon të përmirësojë kushtet dhe ofrojë balancimin e tyre, si për investitorët e huaj, ashtu edhe për investitorët e vendas.