MENU
klinika

Finalja e Champions League

Pochettino: Nuk e kam të lehtë, duam të shkruajmë historinë!

31.05.2019 - 20:52

Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, ka dalë në konferencë për shtyp në prag të finales së Champions League.

Pochettino flet me superlativa për Klopp dhe Liverpool, ndërkohë që u shpreh se nuk e ka bërë ende gati formacionin titullar.

– E keni zgjedhur formacionin titullar? Do të luajë Kane?

“Lojtarët nuk dinë asgjë akoma. Kemi akoma edhe një seancë stërvitore dhe më pas do të vendos. Është e dhimbshme të jesh i detyruar të aktivizosh vetëm 11 lojtarë nga minuta e parë në ndeshje të tilla.

Nuk e kam të lehtë të marr vendime për ndeshjen e nesër. Gjithsesi, jam i bindur se do të bëjmë zgjedhjet e duhura. I kam kërkuar UEFA-s të kem mundësinë të marr të gjithë organikën në fushë nesër para ndeshjes, në mënyrë që ta bëjmë të gjithë bashkë fotografinë tradicionale”.

– Si e gjykoni ecurinë e Liverpool-it?

“Bashkë me Manchester City, janë skuadra më e mirë e Premier League. Kanë bërë një sezon të madh dhe meritojnë elozhe. Liverpool ka një histori të madhe, por ne duhet të kërkojmë të argëtohemi dhe të fitojmë, sepse duam të shkruajmë historinë”.

– Si është gjendja e skuadrës ?

“Udhëtimi drejt finales ka qenë i pabesueshëm dhe mund të përsëris se është një kënaqësi të menaxhosh këta lojtarë. Jam krenar për ata, janë të hapur për gjithçka dhe ndjekin në perfeksion këshillat e mia dhe të stafit tim. Skuadra do të jetë gati të vrapojë dhe të argëtohet”.

– Si jeni përgatitur për këtë ndeshje?

“Natyrisht, një ndeshje e tillë nuk mund të përgatitet si miqësore. Gjëja e rëndësishme është të jemi gati edhe nën presion, veçanërisht në raste të tilla, kur ke 1 miliard njerëz që të shohin. Çelësi është të mos mendosh shumë dhe loja e skuadrës”.

– Çfarë mendimi keni për Klopp?

“Jurgen është një trajner shumë i suksesshëm. Është fantastik dhe e vlerësoj shumë. Është gjithmonë i lumtur, gjithmonë optimist, një shembull shumë i mirë për të tjerët me spontanitetin e tij. Në finalet që ka humbur ka qenë i pafat. Ndonjëherë, ka disa gjëra që nuk mund t’i kontrollosh”, përfundoi Pochettino.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN