Donald Trump ka thënë se Boris Johnson do të ishte një zgjedhje “e shkëlqyer” për udhëheqjen e Partisë Konservatore.
Në një intervistë me The Sun para vizitës së tij në Britani, Trump tha: “Mendoj se Boris do të bëjë një punë shumë të mirë”. Presidenti amerikan tha se kandidatët e tjerë kishin kërkuar miratimin e tij, duke shtuar: “Unë mund të ndihmoja këdo.” “Nuk e di se do të zgjidhet, por mendoj se ai është një djalë shumë i mirë, një person shumë i talentuar”- tha presidenti amerikan.
Komentet e tij erdhën pasi sekretari i brendshëm Sajid Javid u bë kandidati më i fundit që tha se ishte i përgatitur të largohej nga BE pa marrëveshje.
Duke shkruar në Daily Mail, Javid përjashtoi mbajtjen e një referendumi tjetër, një zgjedhje të parakohshme të përgjithshme ose heqjen e nenit 50 për t’i dhënë fund procesit Brexit.
Ndërsa Britania e Madhe përgatitet për vizitën e Trump, ai tha se i kishte kushtuar vëmendje garës së lidershipit të konservatorëve, që do të vendosë kryeministrin e ardhshëm të Britanisë së Madhe.
Duke thënë më parë se ishte i habitur që negociatat e Brexit shkuan keq, Trump tha për The Sun se “lejoi që Bashkimi Europian të ketë të gjitha kartat”. “Është shumë e vështirë të luash mirë kur njëra anë ka të gjitha avantazhet,” tha ai.
Ai tha se negociatorët nuk arritën të bëjnë presion mbi BE, duke shtuar: “Ata nuk i dhanë Bashkimit Europian asgjë për të humbur.”
Presidenti amerikan do të mbërrijë në Mbretërinë e Bashkuar të hënën për një vizitë shtetërore, gjatë së cilës ai do të takohet me anëtarët e familjes mbretërore, duke përfshirë Mbretëreshën dhe Dukën e Sussex.
Ashtu si me vizitën e vitit të kaluar, janë planifikuar demonstrata kundër presidentit amerikan. Përkundër protestave të planifikuar, Trump i tha The Sun se ai shpresonte se ishte “me të vërtetë i dashur” në Britaninë e Madhe.