Afër stadiumit “Elbasan Arena” është e vështirë të afrohesh nëse nuk ke një biletë për ndeshjen ndaj Izraelit dhe të kesh harruar kartën e identitetit. Më shumë policë se tifozë, kështu mund të përshkruhet me pak fjalë atmosfera para ndeshjes Shqipëri-Izrael.
Qyteti i Elbasanit që prej ditës së enjte është “pushtuar” nga forca të shumta policore dhe vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes, “uniformat blu” janë duke marrë instruksionet e fundit për të garantuar qetësinë dhe rendin për këtë event.
Sa u përket tifozëve dhe atmosferës festive, ajo duket shumë vakët dhe e vetëm disa qytetarë të veshur me bluzat e kuqe që qarkullojnë përreth stadiumit. Grupi TKZ nga ana tjetër janë grupuar në një lokal përpara se të futen në stadium.
Fotot e tregojnë se si është atmosfera në qytetin e Elbasanit vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes së parë të Ligës së Kombeve për kombëtaren tonë.