Kujtimet e të vëllait, Lazrit: Fëmijëria dhe largimi nga Shkupi
“Ajo ishte një vajzë normale, mbase pak e tërhequr dhe e rezervuar, por kishte shumë miq. Ajo kalonte një pjesë të madhe të kohës me ta dhe ata shpesh vinin në shtëpinë tonë. Talenti i saj në shkollë u shqua që në vitet e para në klasë, gjithnjë e gatshme për t’i ndihmuar të tjerët.
Më kujtohet që ajo kishte një shoqe të ngushtë, e bija e doktor Milkoviqit. Si vajzë e re kishte prirje për poezi, shkruante vjersha të shkurtra që ua lexonte të gjithëve”, – kështu e kujton të motrën Anjeze Gonxhe Bojaxhi, i vëllai Lazri.
Në kujtimet dhënë për biografin e saj, Dom Lush Gjergji, teksa flet për fëmijërinë, ai sjell pasazhe nga jeta e shenjtores shqiptare. “Ajo ishte shumë e hapur dhe e përzemërt me shoqet, kurse me meshkujt disi e druajtshme. Mirëpo ajo ishte e shoqërueshme me të gjithë, pa ndonjë përjashtim feje, gjuhe a kombësie. Kurrë nuk më ka rënë ta shoh të mos i dëgjojë prindërit.
Nëna shpesh më thoshte: ‘Bëhu si Gonxhja, anise është më e re se ti!’. Nëna gjithnjë kërkonte nga ne të ishim të rregullt dhe të urtë. Për çdo mbrëmje na duhej që me rend t’i pastronim këpucët, Agia, unë dhe Gonxhja.
Shpesh e lusja: ‘Të lutem Gonxhe, pastroji sot për mua …’, sepse për mua, si djalë më dukej turp të bëja disa punë, sillesha si Zot. Dhe ajo ma kthente: ‘Ani vëlla, do ta bëj për ty!’. Kur bëja ndonjë sherr dhe ajo e zbulonte këtë, e mbante për vete.
Besoj se nëna e ndiente, se Gonxhja ishte me bindje religjioze. Më kujtohet kur i thoshte se me dëshirë do të qëndronte tërë jetën me Gonxhen dhe frigohej se do ta humbte për dy arsye: shëndeti i saj i lig dhe kushtrimi i saj ndaj Zotit. Për këtë arsye, ajo e donte më shumë Gonxhen, por kur Zoti e ftoi, ajo ia dha Atij duarhapur …”, – kujton Lazri.
Përpos mësimit, Gonxhja merrte pjesë aktive edhe në aktivitete bashkiake të famullisë, ajo këndonte në kor, recitonte në teatrin e qytetit, si dhe në shfaqje të festivaleve të ndryshme të famullisë, ku vallëzonte, shkruante shumë vjersha dhe i binte mandolinës. Për të, si dhe për familjen Bojaxhiu, famullia ishte një shtëpi e dytë. Ndikimi i saj më i madh ishte arkipeshkvi i Shkupit, imzot Lazër Mjeda, që ishte mik i familjes Bojaxhiu, të cilën ai e vizitonte shpesh.
Përpos shkollës në famulli, kishte gjithashtu dhe mësim të katekizmit, këndimit, dramës, teatrit të vogël dhe shumë aktiviteteve të tjera. Më 1924-ën, atë Cepetiqi u shkroi prapë eprorëve të vet në Zagreb, këtë letër: “Falënderoj Zotin, nuk kam probleme me nxënësit e gjimnazit. Ata vijnë të mbushur me shpresë dhe unë bëj çmos për t’i ndihmuar.
Po të mos jem në gjendje t’u gjej libra për katekizëm, do t’u huazoj të miat. Nganjëherë gjatë javës mbaj edhe nga dhjetë orë mësim, pasi kam mbetur prapa në këtë lëndë dhe dua ta plotësoj dhe të bëj ç’është e mundur. Pas shkollës fillore fëmijët vijnë tek unë dy herë në javë për mësime të katekizmit dhe nganjëherë i mbaj edhe të dielave pas meshës …”
Gonxhe Bojaxhi e ndihmonte priftin madje edhe në katekizëm, pasi ajo vetë përkthente nga serbokroatishtja në shqip, sepse shumicës së fëmijëve, duke mos e kuptuar gjuhën, e kishin të vështirë të ndiqnin mësimet e katekizmit në famulli. Për të vëllain, Lazrin, Gonxhja u rrit në oborrin e kishës. “Kishte diçka që për të, ishte më me rëndësi se çdo gjë tjetër: kisha.
Ne jetonim shumë afër kishës katolike të Shkupit dhe kur ishim të vegjël, prifti i famullisë ishte shqiptar. Herë-herë, më dukej sikur nëna dhe motrat e mia jetonin në kishë. Ato ishin shumë të përshpirtshme dhe gjithmonë të gatshme të zgjasnin dorën për të ndihmuar. Sa ishte gjallë babai shtëpia jonë i ngjante një vatre politike. Pas vdekjes së tij na mbante gjallë feja”, – kujton Lazri.
Më tej, ai shton: “Kur dola nga shtëpia, Gonxhja nuk kishte mbushur 13 vjet. Ajo, që atëherë ishte shumë e interesuar për punën e misionarëve. Sa herë vinin nga vendet e largëta, ajo kishte dëshirë t’i takonte dhe të fliste me ta. Njëri prej tyre, një ditë i tha: Çdo njeri ka rrugën e vet, të cilën duhet ta ndjekë. Këto fjalë e prekën thellë në zemër, motrën time. Jezuiti që zëvendësonte priftin shqiptar, një ditë hapi një hartë në kishë, në të cilën ishin shënuar të gjitha misionet.
Më kujtohet, se edhe kjo gjë e preku shumë Gonxhen, pasi ajo erdhi menjëherë të më tregonte: “O vëlla, sikur të dije ku punojnë misionaret tona… çfarë jete bëjnë…”, – kujton ai. Gonxhja, shpesh i thoshte se “isha shumë e re, pa mbushur dymbëdhjetë vjeç, e rrethuar nga familja, kur ndjeva dëshirën për t’iu dhënë krejtësisht Zotit. Gjashtë vjet, kam medituar dhe jam lutur. Nganjëherë, më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda, se isha e ftuar nga Zoti. Zonja jonë e Letnicës, Zoja Cërnagore, më ndihmoi shumë për të arritur një vendim të tillë”. Duke u përballur me thirrjen, Gonxhja vendos të shkojë në Letnicë, për të gjetur paqen e brendshme.
Lorenc Antoni e kujton kështu: “Përpara se të arrinte deri te vendimi përfundimtar, se a do të bëhej murgeshë misionare apo jo, ajo tha: “Do të shkoj në Letnicë dhe do të qëndroj atje nja dy muaj”. Ishte viti 1927. Në Letnicë ajo bëri ushtrimet shpirtërore. Këtë përvojë e përsëriti edhe më 1928-n. Para se të merrte vendimin ajo kishte një fletore të tërë të mbushur me poezi. “Kush e di në do të lexoj e shkruaj më poezi”, do të shprehej. Dëshira e saj e hershme kishte qenë të bëhej mësuese. Lazri e kujton me trishtim kohën e largimit të saj nga Shkupi. E gjithë familja ishte e pikëlluar, sipas tij.
Ja si shkruan Lorenc Antoni në ditarin e tij për këtë ngjarje. “Në mbrëmjen e 25 shtatorit 1928, ne të gjithë u tubuam në shtëpinë e Gonxhes për t’i dhënë lamtumirën. Secili i kishte blerë ndonjë dhuratë të vogël, ndonjë laps, libër etj. Unë i dhurova një stilograf të artë, të cilën ajo e ruajti dhe e përdori për një kohë të gjatë më pas. Të nesërmen, më 26 shtator, ishte dita e largimit të saj.
Shumë kishin dalë për ta përcjellë, fëmijë, të rinj, pothuaj mbarë famullia, madje edhe shokët e shkollës. Të gjithë i kishin mbërthyer sytë mbi të, të gjithë të mbushur me pyetje të pathëna: cila do të ishte e ardhmja e kësaj vajze në Indi, një vend i huaj dhe aq i largët?
Unë u zgjova herët. Së pari, vajta në kishë dhe pastaj në stacion. Kisha blerë tri bileta për Zagreb (për Dranen, Agen dhe një për Gonxhen). Në stacionin e trenit të gjithë po qanin dhe ajo po qante, ndonëse pak kohë më parë kishte thënë që nuk do ta bënte këtë. Edhe unë vetë kisha buzën në vaj, sapo mendoja se do të humbisja një kushërirë, një mike të mirë.
Në çastin e nisjes, ajo ma shtrëngoi fort dorën. Reagimi im ishte gati i ftohtë, që të mos lejoja të pushtohej nga pikëllimi i nisjes. Treni u nis. Ne të gjithë valëvitnim shamitë, derisa treni u tret. Dielli ia kishte hedhur rrezet, duke u ndriçuar të tërën: ajo i ngjante një hëne që dalëngadalë, humbet në lindjen e diellit …”./Konica.al
Përgatiti: Hera Lera