MENU
klinika

Zbritja e parë pas tre vjetësh

Bien çmimet e prodhimit me 0.2%

07.06.2019 - 16:44

Indeksi i çmimeve të prodhimit frenoi edhe më shumë në tremujorin e parë të këtij viti, duke u rikthyer sërish në territor negativ.

Sipas Instat, çmimet e prodhimit ranë me 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është rënia e parë vjetore e çmimeve të prodhimit që prej mesit të vitit 2016.

Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet e produkteve vendase në hallkën e parë të tregtimit ose e thënë ndryshe çmimin me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit. Rënia e çmimeve të prodhimit është në linjë edhe me uljen drastike të çmimeve të konsumit në tremujorin e parë të vitit.

Banka e Shqipërisë e ka shpjeguar këtë dobësim drastik të çmimeve kryesisht me efektin e kursit të këmbimit.

Mbiçmimi i lekut ndaj euros duket të ketë ulur kostot e industrisë përpunuese dhe, rrjedhimisht, edhe çmimet e prodhimit. Industria përpunuese dha efektin kryesor, me një rënie të çmimeve me 0.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018.

Në segmentin që prek më shumë konsumatorët, atë të industrisë ushqimore, rënia e indeksit të çmimeve të prodhimit ishte edhe më e forte, me 1.9%.

Ndërkohë, edhe në industrinë nxjerrëse indeksi i çmimeve të prodhimit ra me 0.1%, ndërkohë që vitin e kaluar kishte shfaqur një tendencë të fortë në rritje.

Banka e Shqipërisë parashikon që efekti i lekut të fortë te çmimet në tregun vendas do të arrijë pikun në mesin e këtij viti dhe pritet të zbehet gradualisht.

Megjithatë, në muajt e fundit leku po shfaq sërish tendencë mbiçmimi kundrejt euros.

Nëse forcimi i monedhës vendase do të vazhdojë gjatë muajve të verës, kjo mund të ketë ndikim në ecurinë e çmimeve të prodhimit dhe konsumit edhe për tremujorët në vazhdim. Indeksi i çmimeve të prodhimit është një tregues i rëndësishëm orientues për inflacionin.

Nëse prodhuesit rrisin çmimet, me shumë të ngjarë, kjo rritje do të përcillet edhe në çmimet finale të konsumit.

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!