Ndërsa Europa është e angazhuar me ndeshjet në Ligën e Kombeve, në Amerikën Latine janë zhvilluar ndeshje miqësore, ku ka pasur shumë emra të rinj që kanë debutuar.
ARGJENTINË-GUATEMALË 3-0
Njëri prej tyre, Giovanni Simeone (djali i Diego Simeones), festoi me gol debutimin e tij tek Argjentina, që mposhti 3-0 Guatemalën në një miqësore të luajtur në Amerikë, ku mungonte Lionel Mesi.
Pesë-herë Topi i Artë nuk u grumbullua dhe është ende duke u menduar në lidhje me të ardhmen, pas Botërorit të dobët dhe plot polemika për Argjentinën, që u eliminua që në 1-16/at.
Trajneri i përkohshëm Lionel Scaloni hodhi në fushë një formacion të rinovuar dhe me shumë të rinj në përbërje, që e shfrytëzuan shansin, edhe pse në Los Angeles ishte tepër e lehtë ndaj Guatemalës modeste.
Mauro Icardi dhe Paulo Dybala qëndruan në stol, por pritet të luajnë mesjavën e ardhshme, kundër Kolumbisë.
BRAZIL-USA 2-0
Brazili ka lënë pas zhgënjimin e Kupës së Botës dhe ka fituar pa probleme 2-0 miqësoren kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në MetLife Stadium në East Rutherford, NeW Jersey.
Amerikanët e nisën me një ekip me moshë mesatare shumë të re, ku Bobby wood ishte më i moshuari, vetëm 25 vjeç, ndërsa Brazili ishte po ai që u eliminua nga Belgjika në Kupën e Botës.
Që në minutën e 11-të erdhi goli i parë brazilian, me Douglas Costa që dha një kros perfekt nga e djathta dhe Roberto Firmino nuk gaboi, duke shënuar.
Douglas Costa bëri lëmsh mbrojtjen amerikane me depërtimet e tij dhe Neymar humbi raste të mira për shënim, por edhe amerikanët patën dy mundësi të shkëlqyera në fundin e pjesës së parë.
Gjithsesi, dominimi brazilian ishte i qartë dhe një faull ndaj Fabinho-s bëri që arbitri të fishkëllente një 11-metërsh të transformuar nga Neymar. Në pjesën e dytë nuk pati më gola, por vetëm zëvendësime të shumta, ndërkohë që debutuan me fanellën e Brazilit, Arthur, Lucas Paqueta, Everton e Richarlison.
URUGUAJ-MEKSIKË 4-1
Ndërkaq, Uruguaj mposhti 4-1 Meksikën në një miqësore të luajtur në Houston, Amerikë. Edhe pse pa trajnerin Tabarez, Uruguaj shkëlqeu dhe duket se funksionon symbyllur.
Meksika kishte ndryshuar thuajse gjithë skuadrën dhe ishte dukshëm inferiore. Luis Suarez ishte njeriu i ndeshjes, sepse shënoi dy gola dhe dha pasimin final për golin që mbylli takimin, shënuar nga Pereiro në minutën e 59-të.