MENU
klinika

Mbytjet e emigrantëve

OKB: Mesdheu do të bëhet deti i gjakut

09.06.2019 - 16:14

Rreziku i emigrantëve që po vdesin në Mesdhe është më i larti që ka qenë ndonjëherë për shkak të mungesës së anijeve shpëtuese të OJQ-ve dhe konfliktit në Libi, duke nxitur largimet në një shkallë alarmante, njoftoi OKB.

“Nëse nuk ndërhyjmë së shpejti, do të jetë deti i gjakut”, tha Carlotta Sami, zëdhënësja e agjensisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, në Itali.

Mijëra njerëz po përgatiten të largohen nga Libia pasi vendi është zhytur në luftë. Por pa anije shpëtimi, numri i anijembytjeve ka gjasa të rritet në mënyrë dramatike.

Sipas grupeve të ndihmës, pothuajse 700 veta kanë lënë bregun e Libisë në ditët e fundit, vetëm 5% e të cilëve janë kapur nga roja bregdetare libiane dhe janë kthyer në qendrat e ndalimit. Dyzet përqind arritën në Maltë dhe 11% në Itali; nuk dihet se çfarë u ndodhi të tjerëve.

Megjithëse numri i të vdekurve ka rënë në vitin e kaluar, numri i atyre që mbyten si përqindje e të ardhurve në Europë nga Libia është rritur ndjeshëm këtë vit. Sipas të dhënave nga UNHCR dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, 1.940 njerëz kanë arritur në Itali nga Afrika e Veriut që nga fillimi i vitit 2019 dhe pothuajse 350 kanë vdekur rrugës.

Një studim i Institutit për Studime Ndërkombëtare Politike (ISPI), një qendër italiane e bazuar në shifrat e ministrisë së brendshme, tregoi se një në tetë njerëz që u përpoqën të kalonin nga Libia në mes të janarit dhe prillit kishin vdekur gjatë rrugës.

Pas një fushate zgjedhore në të cilën Salvini, ministri i brendshëm, u zotua të miratojë politika të ashpra mbi migracionin, një nga lëvizjet e tij të para ishte mbyllja e porteve italiane.

Nga 10 anijet e shpëtimit të OJQ-ve që ishin aktive në Mesdhe, mbetet vetëm një, nga organizata gjermane SeaWatch.

Për vite, anijet e shpëtimit të OJQ-ve u akuzuan se ishin një “faktor tërheqës” për migrantët dhe refugjatët që u përpoqën të bënin kalimin, por statistikat nga ISPI tregojnë një histori tjetër. Deri më tani këtë vit, pa OJQ në det, rreth 85 vetë në ditë janë përpjekur të kalojnë Mesdheun për të arritur në Evropë.