Prokuroria për Krime të Rënda ka zgjatur hetimet për 3 gjyqtarët e dosjes “Dajti”, të cilët janë proceduar penalisht për veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.
Vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është marrë disa javë më parë, ndërsa kundër këtij vendimi ka bërë ankimim gjyqtari Aleks Nikolli dhe seanca e shqyrtimit të këtij ankimimi do të zhvillohet javën që vjen.
Me pretendimin se duhet më shumë kohë për kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore në funksion të zbardhjes së plotë të dyshimeve të ngritura për gjyqtarët, organi i Akuzës ka zgjatur edhe me tre muaj të tjerë hetimet.
Kujtojmë se gjyqtarët Petrit Aliaj, Aleks Nikolli dhe Skënder Damini, u vunë nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda në shkurt të këtij viti, disa ditë pas dhënies së vendimit, ku pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin.
Kjo gjë ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë, që e dënoi me burgim të përjetshëm, duke e konvertuar dënimin përfundimtar me 25 vite në total.
Dajti akuzohej për vrasjen e 4 punonjësve të Policisë në vitin 2009, ndërsa u deshën 10 vite që dënimi të merrte formë të prerë.
Pranimi i gjykimit të shkurtuar me shumicë vote nga ana e pesëshes së Apelit të Krimeve të Rënda, u diskutua gjatë në opinionin publik, ndërsa disa ditë më pas, nën dyshimin se ky vendim ishte dhënë i ndikuar dhe se gjyqtarët kanë konsumuar elementë të veprës penale të korrupsionit, Prokuroria nisi hetimet.
Me një vendim për kontroll banese të dhënë nga gjyqtarja Liliana Baku, Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë, në datën 15 shkurt të këtij viti kreu kontrolle të befasishme në banesat e 3 gjyqtarëve.
Gjatë kontrolleve të kryera, në banesën e gjyqtarit Skënder Damini, u gjetën disa fishekë dhe një sasi eurosh, ndërsa në banesat e gjyqtarëve të tjerë nuk u gjetën prova apo materiale implikuese.
“Policia e Shtetit konfirmon aksionin e ndërmarrë nga forcat speciale, në zbatim të urdhrit nr. 89, datë 14 shkurt 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për të ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët zbutën dënimin e Dritan Dajtit. Nga operacioni policor konfirmojmë se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese”, informoi Policia.
Ndërkohë, në lidhje me eurot e gjetura në banesën e Daminit, ai tha se ato ishin të djalit të tij, ndërsa fishekët e sekuestruar ishin jashtë funksioni