“SHBA bënë gjënë e duhur duke ndihmuar popullin e Kosovës që të fitojë lirinë”, kështu deklaroi të mërkurën ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleinde Albright.
Këto komente, Albright i bëri pasi u dekorua me “Urdhrin e Lirisë” nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi e cilësoi Albright si një heroinë të Kosovës.
Një ditë më parë me këtë urdhër u dekorua edhe ish presidenti amerikan, Bill Clinton.
Me “Urdhrin e Lirisë” u dekorua edhe ish komandanti i forcave të NATO-s gjatë luftës së Kosovës, gjenerali Wesley Clark.
Ish zyrtarët e lartë amerikanë, po marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare.
Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.