Janë sekuestruar sot 1.5 mln euro pasuri në pronësi të Admir Muratajt, i shumëkërkuari që mbeti i vrarë në shkëmbimin me armë zjarri me forcat e rendit pas mega-grabitjes së 9 prillit në aeroportin e Rinasit.
Sekuestrimi i pasurisë u bë sot me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë.
Departamenti i Policisë Kriminale në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë ka kryer sekuestrimin pas të dhënave se Murataj e familaj e tij posedonin pasuri që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Muratajt dhe familjes së tij i janë sekuestruar:
Vila 3 – katëshe e ndodhur në Prezë, Tiranë, me një sipërfaqe totale ndërtimi 300 m2 në emër të shtetasit A. M.
Tokë truall me sipërfaqe 600.3 m2 e shtetasit A. M., ndodhur afër Saukut,
Garazh me sipërfaqe 23 m2, në emër të shtetasit A. M., blerë në vitin 2016
Apartament me sipërfaqe 100.5 m2, në emër të shtetasit A. M.
Tokë truall, në emër të shtetasit A. M.
Apartament banimi në Sarandë, i porositur në datë 05.07.2012 tek një shoqëri ndërtimi, kundrejt shumës 90 000 euro.
Apartament, me sipërfaqe 71 m2, në emër të shtetases A. A.
9 automjete të llojeve të ndryshme relativisht të shtrenjta.
Vlera e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 1,5 milion euro.
Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Po punohet për identifikimin e pasurive dhe aseteve të tjera që kanë këta shtetas, por që nuk i kanë të regjistruar në emër të tyre.