E kërkonin të gjitha të mëdhatë e Europës që nga Juventusit, Manchester City, Reali i Madridit etj., por talenti portugez Joao Felix duket se do t’i bashkohet skuadrës së Atleticos së Madridit.
Sipas mediave portugeze, fantazisti ka udhëtuar që mbrëmë në Madrid, ku pritet të nënshkruajë me Atleticon, klub që duket se ka vendosur të paguajë 120 milionë eurot e klauzolës për prishjen e kontratës së Felix me Benficën.
Diego Simeone ishte në kërkim të një zëvendësuesi për Antoinne Griezmann dhe duket se ka parë te talenti portugez, njeriun ideal për ta aktivizuar si sulmues të dytë në skemën e tij 4-4-2.
Nga ana tjetër, Joao Felix, i cili cilësohet si Cristiano Ronaldo i ri, pritet të marrë një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon te klubi spanjoll.