MENU
klinika

"Kërkova provat"

Lobimi në SHBA/ Basha del nga Prokuroria: E montuar në zyrën e Ramës…

19.06.2019 - 11:16

Në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur paraditen e sotme kryedemokrati Basha.

Ai ishte thirrur pak ditë më parë si i pandehur për hetimet për lobimin e PD në SHBA.

Kërkesës së Prokurorisë për t’u paraqitur si i pandehur, Basha iu përgjigj me një letër, në të cilën kërkoi plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

Pas marrjes në pyetje për rreth 30 minuta, Basha në një prononcim për mediat u shpreh se çdo gjë është e montuar në zyrën e Edi Ramës dhe kjo bëhet vetëm për të shpërqëndruar vëmendjen skandali i përgjimeve të botuara nga Bild.

“Arsyeja e vetme pse jam sot para jush është që të shërbejë si shpërqëndrim për ju, për skandalin e plasur nga Bild dhe ato që janë njoftuar se do të plasin nesër.

Prokuroria nuk ka asnjë fakt as provë që nga 25 maji kur isha këtu për herë të fundit.

Kjo për një arsye të thjeshtë se kjo akuzë është montuar në zyrë të Edi Ramës për llogari të tij.

U njoha me akuzën që nuk është akuzë se nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt, nuk ka asnjë rus të vetëm, nuk ka asnjë transaksion.

Është e gjitha për tju shpërqendruar ju nga skandalet qe kane plasur nga Bild, dhe ato qe do te plasin nesër”, u shpreh Basha.

Letra që Basha i dërgoi Prokurorisë:

Jam njohur me aktin “Ftesë për paraqitje” datë 12 Qershor 2019, përcjellë me shkresën nr. 645 Prot. të datës 12 Qershor 2019, nga ku kam konstatuar se më ftoni të paraqitem në vendin, datën dhe orën e caktuar, “për të më njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje me cilësinë e të pandehurit”.

Siç ju dhe opinioni publik jeni në dijeni, unë jam paraqitur në organin e prokurorisë mbi këtë çështje sa herë është kërkuar, në përputhje me ligjin.

Këtë e kam bërë në respekt të plotë të ligjit, pavarësisht se në të gjitha rastet, thirrja e Kryetarit të Opozitës në prokurori mbi këtë çështje, është bërë gjithmonë pas paralajmërimit disa ditë përpara nga Qeveria dhe sa herë kjo e fundit ka qenë nën akuzë publike për skandale kriminale apo korruptive.

Në lidhje me Ftesën për Paraqitje të datës 12 Qershor 2019, ju informoj se njoftimi juaj nuk përmbush detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast”.

Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore.

Për këtë arsye, akti juaj i njoftimit është absolutisht i pavlefshëm, sikurse përcakton neni 128/ pika 1 shkronja c, i KPP-së që parashikon se “aktet janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me thirrjen e të pandehurit, viktimës ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.”

Për sa më sipër, duke konfirmuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të ri të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin.

LULZIM BASHA