Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka ftuar udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un për ta takuar atë në zonën e fortifikuar që ndan Korenë Veriore dhe Jugore.
Në atë që Trump e përshkroi si një gjest spontan, ai tha në Twitter se mund të përshëndeste Kim gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut.
Koreja e Veriut e ka përshkruar atë si një “sugjerim shumë interesant”.
Pas G20 në Japoni, Trump do të diskutojë për denuklearizimin e Koresë së Veriut në Seul.
Nëse Trump dhe Kim do të shihnin njëri-tjetrin në zonën e çmilitarizuar (DMZ), do të ishte takimi i tyre i tretë në pak më shumë se një vit dhe i pari që nga një samit në Vietnam që ‘dështoi’ në shkurt.
Megjithatë, pavarësisht nga mungesa e dukshme e çdo përgatitjeje diplomatike, disa kanë sugjeruar një tjetër takim ballë për ballë midis palëve mund të ndihmojë rivendosjen e marrëdhënieve.
Trump pati një mëngjes pune me princin e Arabisë Saudite Mohammad Bin Salman në Osaka të shtunën para një takimi dypalësh me presidentin kinez Xi Jinping, ku ata ranë dakord të rifillojnë bisedimet mes një lufte tregtare.
Vetëm disa orë më vonë, zëvendës-ministri i jashtëm i Koresë së Veriut për çështjet e jashtme, Choe Son Hui, tha në një deklaratë: “Ne e shohim atë si një sugjerim shumë interesant, por ne nuk kemi marrë një propozim zyrtar në këtë drejtim”.
Një takim i tillë, shtoi ai, “do të shërbejë si një rast tjetër kuptimplotë në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve personale midis dy udhëheqësve dhe avancimit të marrëdhënieve dypalëshe”.
Trump u përpoq të bënte një vizitë të papritur në zonë në nëntor 2017, por u detyrua të braktiste planet për shkak të motit të keq.