MENU
klinika

FOTO

PS denoncon: Punonjësit e Bashkisë Vorë pengojnë votuesit

30.06.2019 - 18:29

“Punonjësit e Bashkisë Vorë u kanë bërë presion votuesve që të mos ushtrojnë të drejtën e tyre në qendrat e votimit në Marikaj”, kështu është denoncuar nga Partia Socialiste.

PS shkruan se në shkollën 9-vjeçare “Ramazan Subashi” ka pasur tensione, pasi aty ndodhen qendrat e votimit 1558/0, 1558/1, 1559/0 dhe 1559/1.

Sipas raportimeve nga kjo qendër mbështetës të PD dhe drejtues e punonjës të Bashkisë së Vorës janë stacionuar pranë hyrjes kryesore të oborrit të shkollës dhe u bëjnë presion qytetarëve që hyjnë për të votuar.

PS gjithashtu bën me dije se rreth orës 14:00, në këtë qendër ka pasur acarim të situatës.

Po ashtu stafi elektoral i kandidatit për kryetar bashkie i PS, Agim Kajmaku, ka denoncuar gjatë ditës bllokimin e vazhdueshëm të rrugës që të çon në të katër qendrat e votimit të shkollës “Ramazan Subashi”, përmes vendosjes së makinave në hyrje të kësaj rruge.

Mësohet se grupi i personave që organizojnë bllokimin e rrugës dhe që provokojnë qytetarët që shkojnë të votojnë përbëhet nga punonjës dhe drejtues të bashkisë së Vorës e konkretisht nga:

Mira Murataj, drejtore në bashkinë e Vorës, Astrit Kuçi, punonjës në sektorin e ujësjellësit në Bashkinë e Vorës (personi i cili krijoi incidentin që u zgjidh nga Policia e Shtetit), Arben Kuçi, Festim Mara, Elton Mara, Besnik Kuçi etj.

Sipas të dhënave nga KZAZ Vorë, deri në orën 17:00 numri i votuesve në qendrat e votimit në Marikaj ka shkuar rreth 410 votues.