Protesta dhe përplasje të dhunshme para Shtëpisë së Bardhë ndërkohë që presidenti amerikan Trump i drejtohej kombit me rastin e 4 korrikut. Manifestuesit kanë djegur dhe flamurin amerikan ndërsa dy prej tyre janë arrestuar.
Presidenti amerikan Donald Trump në fjalimin e tij para kombit në kuadër të 4 Korrikut, shmangu temën e politikës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë lavdëroi ushtarët dhe heronjtë amerikanë të dy shekujve të fundit, me anë të një fjalimi të gjatë patriotik në Uashington.
Pavarësisht se fjalimi i tij, sipas traditës, qëndroi jashtë propagandës politike, nuk munguan protesta dhe përplasje. Manifestues anti-Trump, dogjën një flamur amerikan para Shtëpisë së Bardhë dhe më pas u përplasën me mbështetësit e presidentit pak para fillimit të fjalimit.
Protestat, sipas raportimeve të CNN, u transformuan në përplasje të dhunshme pranë turmës e cila ishte mbledhur për të dëgjuar fjalimin e 4 Korrikut dhe fishekzjarreve në National Mall.
Me avionë luftarakë në qiell, me tanke të rënda dhe parada masive në tokë, Shtetet e Bashkuara festuan të enjten 243-vjetorin e pavarësisë.
Duke sfiduar reshjet e shiut, presidenti amerikan, Donald Trump, iu drejtua mijëra qytetarëve të mbledhur në memorialin e Abraham Linkolnit në Uashington.
Trump tha “Sot festojmë historinë, njerëzit dhe heronjtë e ushtrisë që e mbrojtën me krenari flamurin tonë. E ardhmja na takon ne guximtarëve, krenarëve dhe popullit të lirë amerikan. Sot ne jemi më të fortë se kurrë.”
Fjalimi i Trump ishte i pari pas gati shtatëdhjetë vitesh që mbahet me këtë rast në parkun e Uashingtonit.
Disa nga kandidatët demokratë për presidentë të ardhshëm, e kritikuan shfaqjen militariste dhe kthimin e përvjetorit të pavarësisë në një tubim politik.
Përvjetori i 243-të i pavarësisë së SHBA-ve nga perandoria britanike u përmbyll në mbrëmje me një spektakël fishekzjarrësh që ndriçoi qiejt e vrenjtur të Uashingtonit.