MENU
klinika

Tifozat Kuq e Zi protagonistë

Shqiptarët “djegin” Glasgow para ndeshjes

10.09.2018 - 16:26

Shumë shqiptarë jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe dhe sonte kanë prenotuar një vend në stadiumin “Hamden Park” të Glasgow për të ndjekur Kombëtaren në sfidën ndaj Skocisë.

“Tifozat Kuq e Zi” kanë filluar ta ndezin atmosferën në Glasgow disa orë para fillimit të ndeshjes. Këngët, brohoritjet, tundja e shajeve kuqezi, “tam-tamet” e tupanit janë “menuja” e shpalosur nga tifozët shqiptarë nga mesdita e në vazhdim.

Njëri nga udhëheqësit e “TKZ”, që nuk lë stadium të botës pa shkuar, kur luan kombëtarja shqiptare, Ramadan Tërstena, ka hedhur një video në faqen e tij në Facebook, ku tregon më së miri atmosferën para ndeshjes, me ngjyrat kuqezi.

“Glasgow, qyteti-port në lumin Clyde, në ultësirën perëndimore të Skocisë, një qendër kombëtare kulturore, duke përfshirë Operën Skoceze, Baletin Skocez dhe Teatrin Kombëtar të Skocisë, si dhe muzetë e mirënjohur, flet edhe shqip ditën e sotme.

Urojmë që “shqip” të flasë edhe ballafaqimi i mbrëmjes për Ligën e Kombeve, pas 90 minutave Skoci-Shqipëri!” – shkruan Ramadan Tërstena (në foto me familjen tij para ndeshjes ndaj Izraelit).