Një delegacion afgan, ku përfshirën dhjetëra anëtarë të elitës politike të vendit dhe shoqërisë civile kanë udhëtuar nga Kabuli për në Doha të Katarit, për të marrë pjesë në bisedimet që fokusohen në përpjekjet për paqe në Afganistan.
Delegacioni, i cili nuk përfshinë përfaqësues të Qeverisë, pritet të takohet me zyrtarët talibanë, gjatë Konferencës dyditore të Dialogut ndër-afgan, që nis më 7 korrik.
Takimi, që ndërmjetësohet nga Katari dhe Gjermania, do të mbahet pas takimeve të ndara ndërmjet përfaqësuesve të talibanëve dhe diplomatëve afganë, të cilët po bëjnë përpjekje për të arritur një marrëveshje për tërheqjen e trupave amerikane dhe të NATO-s si dhe për të marrë garanci nga talibanët për siguri në Afganistan, pas tërheqjes së trupave.
Associated Press ka cituar një zyrtar të Shteteve të Bashkuara të ketë thënë se raundi i fundit i bisedimeve me talibanët ka qenë “shumë produktiv”.
Duke folur në kushte anonimiteti, ky zyrtar mohoi se Uashingtoni po kërkon një afat për tërheqjen e trupave nga Afganistani.
Duke folur për një kornizë kohore, që është përmendur nga talibanët, ky zyrtar tha se delegacioni i SHBA-së “definitivisht nuk ka ofruar” tërheqjen e trupave për 18 muaj, si pjesë të një marrëveshjeje të paqes.
Përfaqësuesit e talibanëve deri më tani kanë refuzuar që të bisedojnë direkt me qeverinë në Kabul, që mbështetet nga Perëndimi.
Zyrtarët amerikanë po kërkojnë të arrihet një marrëveshje për armëpushim dhe takime ndërmjet talibanëve dhe Qeverisë afgane, përpara se ndonjë marrëveshje e paqes të finalizohet.