MENU
klinika

Pasuri e dyshimtë?

KPK jep vendimin për kreun e Prokurorisë Kurbin

08.07.2019 - 10:21

Është konfirmuar në detyrë sot nga KPK drejtuesi i prokurorisë së Kurbinit, Zeqir Hoda.

Trupa gjykuese përbëhej nha Pamela Qirko kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Genta Tafa Bungo anëtare.

Prokurori Hoda iu nënshtrua procesit të vetingut për të tre kriteret, por u përball me dyshime për mungesë burimesh të ligjshme të pasurisë si dhe konflikt interesi.

Gjatë seancës dëgjimore, relatorja Etleda Çiftja deklaroi prokurori Zeqir Hoda kishte marrë një raport pozitiv nga ILDKPKI, por verifikimi i KPK-së duket se ka arritur në përfundime të ndryshme.

Për një apartament me sipërfaqe 92 m2 në Tiranë, të blerë në vlerën e 3.9 milionë lekëve në vitin 2001, prokurori Hoda ka deklaruar si burim të ardhurat familjare dhe ato nga shitja e një apartamenti në Kukës, 300 mijë lekë dhuratë nga babai dhe dy hua përkatësisht në vlerat 3000 dhe 4000 dollarë.

Gjithashtu, ka deklaruar edhe një kredi në shumën 7000 dollarë që ka shërbyer për shlyerjn e huave.

Sipas relatores Etleda Çiftja, komisioni ka konkluduar se babai i ndjerë i prokurorit Hoda nuk ka pasur mundësi për dhurimin e shumës 300 mijë lekë, pasi nuk rezulton e provuar me dokumentacion justifikues.

Komisioni ka konstatuar të njëjtën gjë edhe për huadhënësit, ku nga hetimi është konkluduar se ata nuk kanë pasur mundësi për të dhënë shumat 3000 dhe 4000 dollarë. Sipas Çiftes, ata nuk kanë pasur mundësi me burime financiare të ligjshme për të dhënë huatë e sipërcituara.

Komisioni ka gjetur probleme edhe në lidhje me një apartament tjetër me sipërfaqe 108.02 m2 po në Tiranë, të porositur në vitin 2015 në vlerën e 75 mijë eurove dhe të shlyer në vitin 2017, për të cilin prokurori Hoda ka deklaruar si burim krijimi kursimet nga pagat për periudhën 2004-2014 në shumën 20 mijë euro, një kredi në vlerën 50 mijë euro dhe 5 mijë euro kur të kalohej në pronësi.

Ndërkohë, ditën e sotme KPK ka dhënë vendimin për konfirmimin e tij në detyrë.