Pas një periudhe të gjatë nxehtësie tashmë “kokëfortësia” ka kaluar tek moti relativisht i paqëndrueshëm madje duke shkaktuar jo pak dëme si në vendin tonë ashtu dhe kontinentin europian.
Temperaturat e mesditës nuk i kaluan vlerat prej 29-31°C, temperatura këto më të freskëta krahasuar me ato të pak ditëve më parë.
Për ditën e sotme, e shtunë 13 korrik, depërtimi i masave ajrore të paqëndrueshme me origjinë veriore do të sjellin mbi vendin tonë përsëri mot relativisht të paqëndrueshëm.
Pjesa e parë e ditës do të jetë me kthjellime dhe alternime vranësirash me këto të fundit më tepër prezente në relievet malore.
Pas orëve të mesditës mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash shtrihen në të gjithë territorin.
Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët, lokalisht në formë shtrëngatash afatshkurtër.
Prej orëve të vona të mbrëmjes së të shtunës dhe orët e para të së dielës, reshjet fitojnë intensitet deri mesatar në formën e stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Temperaturat e mëngjesit pritet të kenë një rritje të lehtë krahasuar me ato të ditës së sotme (13-19°C) ashtu si dhe ato të mesditës të cilat do të mbeten të freskëta dhe nuk do t’i kalojnë vlerat prej 30-31°C.
Edhe të dielën moti shihet të jetë i ngjashëm me të shtunën, por temperaturat pritet të ulen me deri 3 gradë celsius.
Në bregdet pritet që e shtuna të ketë shira pasdite kurse kryeqyteti me mot të thatë.
Të hënën pritet që dielli të rikthehet plotësisht në zonat bregdetare, por në Tiranë të martën pritet rikthim i reshjeve.