MENU
klinika

Zyrtarizimi çështje orësh

Shifrat e çmendura të De Ligt te Juve

14.07.2019 - 14:33

Tifozët e Juventusit nuk duhet të presin gjatë për të festuar atë që konsiderohet si transferimi më i bujshëm i viteve të fundit pas blerjes së Cristiano Ronaldo. Në fakt është vetëm çështje orësh, që “Zonja e Vjetër” të zyrtarizojë Mathijs De Ligt.

Pas tratativave të gjata dhe të vështira palët kanë arritur marrëveshjen, me Ajax Amsterdam që është dorëzuar dhe ka vendosur të lerë të lirë kapitenin e tij për 75 milion euro.

Ndërkohë, prestigjozja italiane “La Gazzetta Dello Sport” ka zbuluar edhe detajet e tjera financiare të këtij transferimi të denjë për një kampion të madh. Kështu, sipas të përditëshmes përtej Adriatikut, mbrojtësi holandez do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të fitojë 12 milion euro në sezon.

Po ashtu, Juventus ka vendosur një klauzolë 150 milion euro për prishje të njëanëshme të kontratës.

Për të vazhduar më pas me të tjera detaje të këtij transferimi të bujshëm në merkaton e verës, De Ligt do të mbajë numrin 4 në aventurën e tij me gjigandët e futbollit italian.

Për të arritur te kapiteni i Ajax dhe kombëtares së Holandës, Juventus mundi rivalitetin e madh të Barcelonës dhe me një lëvizje “mjeshtërore” të dirigjuar nga menaxheri i futbollistit, Mino Raiola arriti të prishë marrëveshjen paraprake me klubin katalunjas.