MENU
klinika

Origjinaliteti absolut

Perek i mungon tmerrësisht këtij shekulli

17.07.2019 - 14:44

      Gjeni letrar, shpesh dhe me të drejtë i konsideruar si shkrimtari francez më prodhimtar dhe më origjinali, Zhorzh Perek (1936-1982) prej dy vitesh pjesë e “Plejadës”, 37 vjet pas vdekjes së tij të parakohshme.

Krijimtaria e Perek, anëtar i “Oulipo”, grupi letrar ku bëjnë pjesë edhe Rejmond Keno dhe Italo Kalvino, është shumëplanëshe, e pakapshme, aq sa tekstet e tij kanë ndikuar tek shumë autorë, përfshirë edhe Mishel Hulebek. Autor i shumë çmimeve ndër të tjera i çmimit “Renaudot” në 1965 për librin “Gjërat” dhe çmimin “Médicis” në vitin 1978 për librin “Jeta, mënyrë jetese”. Vetë Perek e shihte veten si “një fermer që kultivonte disa fusha”. Në librin “Shënime për atë që po kërkoj” (1978), ai shpjegon: “Librat që kam shkruar kanë të bëjnë me katër fusha të ndryshme, katër mënyra pyetjesh që në fund mund të paraqesin të njëjtën pyetje, veçse e paraqesin sipas perspektivave të veçanta, që çdo herë i përgjigjen një lloji tjetër vepre letrare”. Këto katër fusha: sociologjike, autobiografike, zbavitëse dhe romantike “nuk e përjashtojnë aspak njëra-tjetrën, – vëren Christelle Reggiani. “Në ekstrem e zhdërvjellët, krijimtaria e Perek e vë këtë diversitet tematik dhe formal në shërbim të një ambicie të pamatshme: për të eksploruar gjërat, hapësirën, kujtesën”.

 

 

 

 

Punimet e autorit të mbledhura në dy vëllime janë renditur në rend kronologjik. Asnjë nga librat e tij nuk është ngjan me pararendësin. Gjejmë vepra që janë tashmë të famshëm në opinionin ndërkombëta, por edhe të tjerë që janë më pak të njohur si p.sh. “Njeriu që fle” (1967), histori pa histori, tronditëse dhe interesante.

Lindur në një familje hebreje, prindërit polakë u vendosën në Francë në fund të viteve 1920, porse patën një fat tragjik. Babai i Perek, vullnetar, vdiq në front në qershor 1940. E ëma u internua dhe u vra në Aushviz në shkurt 1943. Po ashtu, tre prej gjyshërve të tij vdiqën në deportim, kurse Perek u birësuar në vitin 1945 nga halla.

Realiteti tek Perek bëhet një lojë. Loja e “unit” të tij. Më pas, “uni” i lojës së tij. Një lëvizje qerthullore e mbyllur, e vizatuar në “W ose kujtimi i fëmijërisë” (Vëllimi 1 në edicionin e Plejadës), një histori ku imagjinarja mund të rrëfejë një realitet të pathënë në mënyrë aq brutale. Alternimi midis autobiografisë dhe prozës aventureske krijon kujtime të fëmijërisë. Perek ishte i vetëdijshëm për këtë: “Ky konfrontim i intrigave narrative i lejon të shprehë përvojën që ka nga jeta e jetimit, pa asnjë kujtim fëmijërie”, – shprehet C. Reggiani.

 

 

 

 

Shkrimtari francez Zhorzh Perek njihet, mes të tjerash, për romanin e tij “Zhdukja” (1969), në tekstin e të cilit nuk ndeshet asnjëherë shkronja e, eksperimente letrare të njohura ndryshe edhe si lipograma. La pas një punë origjinale dhe të dendur, ku eksperimentimi letrar e frenon vetëshkrimin dhe ku reflektimi mbi historinë dhe identitetin është shtrirë në ushtrimin dhe vëzhgimin urban. Thuajse të gjitha veprat e Perek mund të lexohen përmes prizmit të identitetit, kredhur në një zinxhir metaforash ose të shoqëruara me lojëra referimi, historia personale është gjithnjë e pranishme. Tek Pereku identitetet personale dhe letrare duket se janë në kontakt të përhershëm, të bashkuar dhe të mobilizuar në një projekt të vetëm të përfaqësimit dhe kërkimit. Kujtime, lojëra, hapësira, histori, përshkrime, udhë të pafundme të letërsisë dhe labirinte të padepërtueshme të kujtesës… Gjithçka që mbetet ka shijen e të papërfunduarës. Librat e Perek mbartin një apel urgjent për të ripërtërirë hapësirat letrare, një ftesë e hapur për të rikonsideruar format e shkrimit, për të rizbuluar shkrimin si një praktikë dhe si një disiplinë. Veprat e tij unike dhe të paklasifikuara, gjenia e tij krijuese në sprovën letrare dhe urbane, me vështrim fiksuar drejt objektivit, si e kushedisata shaka e pavendosur, apo buzëqeshja e tij njëherazi e butë dhe djallëzore pas sfodnit të maces së zezë, si një lojë e fundit në fytyrën e botës, Duhet ta pranojmë, se Xhorxh Perek i mungon tmerrësisht këtij shekulli.

 

 

 

 

Të shkruash do të thotë të përpiqesh imtësisht për të ruajtur diçka, për të mos lënë diçka të vdesë, për të shkulur nga thellësi e zbrazëtisë ndonjë grimcë të përpiktë, për të lënë diku një hulli, një gjurmë, një vragë apo disa shenja…”, – shprehet ai./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët