Është shkarkuar sot nga detyra kreu i Prokurorisë Vlorë, Ardian Ylli.
Shkarkimi i tij u vendos nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Ky vendim erdhi pasi u konstatuan probleme të madha në pasurinë e tij.
Gjatë seancës anëtarja Valbona Sanxhaktari, i drejtoi pyetje prokurorit në lidhje me dokumentimin e kursimeve të trashëguara nga babai, ku u shpreh se bëhej fjalë për një shumë të konsiderueshme që mbetej e pambuluar.
Ajo theksoi se se shuma e trashëguar nga babai nuk ishte deklaruar as pasi ishte marrë në zotërim nga prokurori në vitin 2012.
Ylli vetë pretendoi përmes një analize financiare paralele nga ekspert kontabël se KPK duhej të merrte në konsideratë kursimet që atij ia kishte lënë babai me vlerë 2.2 milion lekë.
Prokurori kërkoi të uleshin shpenzimet për disa zëra përfshi udhëtimet jashtë vendit që sipas tij në disa raste ishin mbuluar edhe nga të afërm mikpritës dhe të merrej në konsideratë se disa shpenzime ishin bërë për të tretë dhe paratë ishin marrë pas.
Ylli pranoi disa pasaktësi në deklarimet vjetore, mirëpo tha se pasuria e vetme ishte një apartament i fituar nga prindërit në vitin 1975 dhe i privatizuar në vitin 1994.