Banorët e Levanit janë ngritur sërish në protestë.
Ata bëjën me dije se janë ngritur në protestë për shkak të vonesës së lëvrimit të fondeve të shpronësimit për tokat e prekura nga ByPass-i i Fierit dhe mungesa e një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës drejtuar nga Belinda Balluku
Në shenjë revoltë për pritjen dhe neglizhencën bllokuan punën në rrugë.
Banor: “Shpresojmë që shteti të bëhet shteti, dhe jo që ne të mbetemi rrugëve.”
Aty kërkuan paratë për tokën që sipas tyre janë miratuar me VKM, por janë bllokuar në ministrinë e Infrastrukturës.
Banor: “Kanë dalë me VKM, por nuk i ka marrë asnjëri.”
Protestuesit thonë se kanë bërë disa herë dokumentet dhe u janë drejtuar me shkresa zyrtare të gjitha institucioneve.
Banor: “Vetëm për shpronësimet mund të kem bërë të paktën 10 herë rifreskimin e dokumenteve, asnjë përgjigje zyrtare nuk ka ardhur.”
Mungesa e nënkalimeve apo mbikalimeve që do ti lejonin të shkojnë në tokat e tyre është një tjetër shqetësim i këtyre banorëve.
Banorët e Levanit thonë se ata kurrsesi nuk janë kundër By Passit, por sipas tyre është mungesa e përgjigjes nga Ministria e Infrastrukturës dhe institucioneve të tjera që i ka detyruar të zgjedhin protestat si rrugë për të kërkuar të drejtën.