Prej gati dy muajsh, që kur përfundoi sezoni 2018-2019 i Serisë A trajneri Massimiliano Allegri ka dalë nga skena.
Sot, ish-trajneri i Juventusit ka marrë një çmim vlerësimi për rezultatet e arritura në qytetin e tij të lindjes, Livorno, nga kryetari i Bashkisë.
Një mundësi e mirë për trajnerin e rekordeve të Serisë A për të folur për mediat, pas një periudhe kaq të gjatë.
“E vlerësoj këtë çmim, pasi Livorno është qyteti im dhe e dua. E ardhmja? Nuk e di nëse do të jem një vit pushim. Për momentin jam pa skuadër dhe po bëj pushime. Pas 34 vitesh është hera e parë që jam pushim në këtë periudhë. Dhe, mund të them, se në fillim ndihesha i humbur, ecja si një anije pa busull.
Tani jam më mirë, u mësova nga kjo situatë dhe po shijoj pushimet në det si kurrë më parë”, tha Allegri, që habiti me deklaratën e tij se ka kohë që nuk sheh apo dëgjon lajme nga futbolli: “Kam stakuar çdo gjë, kam hequr dorë nga futbolli dhe nuk di absolutisht asgjë se çfarë ka ndodhur. Vetëm kur të rinisë Seria A do të shoh e dëgjoj futboll, pasi tani ka vetëm thashetheme”, u shpreh Allegri.