MENU
klinika

"Koha është të duhemi"

Podrimja dhe një poezi…

21.07.2019 - 13:44

     Ali Podrimja, teksa kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë, u gjet pa shenja jete në qytetin Lodve, në Francë, më 21 korrik të vitit 2012. 

Poeti u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij, të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të, prej 18 korrikut. Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve, ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.

 

 

 

 

 

Poeti u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe cilwsohet sot nga kritika, si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

 

 

 

 

Ndër veprat më të njohura të tij, janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005./Konica.al

 

 

 

 

 

 

***

DIKU NË BOTË

Po qe se nuk të shkruaj
miku im i dashur dhe
Po qe se nuk ma dëgjon zërin
Merr një karafil
E ma kërko varrin
Diku në botë
Se vajta pas Lumit…

 

EPIKA
Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur.
Me shekuj kam hëngër veten
e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Miq,

Kosova është gjaku im që nuk falet!

 

NEU

Dallimi në mes
Deles së Bardhë dhe
Deles së Zezë
është se

Delja e Zezë
hetohet nga larg
dhe hyn e para
në kasaphanë

Delja e Bardhë
lutet të ketë
pjellë të mbarë

Dhe Gjahtari të kthejë
nga Pylli i Lebetitjeve
me Lëkurën e Ujkut

 

(NJERIU I URTË I DRINISË)

Nuk më qiti asgjë
për të ngrënë
as për të pirë
Ish i varfër sa s’bën më
Po derisa zbardhi
rreth zjarrit
kuvenduam

Dhe isha njeriu
më i lumtur
në botë
Eh njeriu i urtë i Drinisë

 

(KUR PIKON VETMI NËN STREHË)

Ti s’di asgjë miku im
pse unë këndoj
kur ti ma shkel hijen
pse kurrë dorë nuk ngrita në ty

Kohët keq të mësuan
Kam parë njerëz duke blerë litar
Pas fishkëllimës së plumbit duke vrapuar planetit
dhe kam pyetur: për cilën kokë ai lak
për cilin gjak ai hak

Tinëz vetes tinëz dreqit dola në kunavikë
me gurin e shqetësuar në behe
hijena gjuajta mbi botë
në zjarr vura dorën për ty

Ti s’di asgjë miku im
pse pikon vetmi
nën strehë
pse sytë më zmadhohen

Kohët keq të mësuan
kur zotat i munda

 

(TATËPJETËS)

Vetëm njëra anë dëgjohet
vetëm njëra dritare hapet
po Dielli pik diku ngjeti

Kur të dëgjohet ana tjetër
ana tjetër a do të shurdhohet
a do të mbyllet dritarja e zgurdulluar
Dielli a do të pikë edhe në çatinë e kërrusur

Dëgjohet vetëm njëra anë
vetëm njëra anë
dhe gishtat në veshë dhe fishkëllima

Kur të dëgjohet ana tjetër
a do të harrojë njeriu të lehë
a do ta zëmë Diellin tatëpjetës

 

PARISI, VENDLINDJA

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndërrat do t’i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.

Paris, maj 1981

 

ME JETUE

Tim biri, Lumit
Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh

Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kosmos.

 

TI DHE UJI

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)

Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.

 

VETËM OSE HAMLET I SËMURË

Pak po më jep, jeta ime,
e tepër po lyp nga Unë.

Të të jap s’mundem më tepër,
se sa të të ngre në këmbë.

S’mundem më tepër se sa të të jap emër,
se sa të të mësoj të ecësh

kah e vërtetë, kah njerëzit,

se sa kohën time për ta falur,
durimin e gurit, zjarrin, kaltrinë.

S’mundem më tepër të të jap
e ti tepër po lyp nga Unë.

Ne mes të verbërve vetëm jam,
në mes të hijeve, perëndive.

Vetëm para vetvetes e hapësisë e murit,
para dashurisë e urrejtjes vetëm.

Po ti tepër po lyp nga Unë
e pak pu më jep, jeta ime.

O Hamlet, o Harnlet, po vijnë
mjekët me mantele të bardha,

me mantele të zeza po vijnë,
për të të shëruar, kokë e pafjetur e botës.

 

KUSH DO TA VRASË UJKUN

F. Altimarit

Dhe lëtini tha

Po qe se takon
Arbëreshin dhe Ujkun
Vraje Arbëreshin

Dhe kur fjala i ra në vesh
Arbëreshi buzëqeshi
Dhe drodhi një cigare

Po qe se më vret mua
more i gjorë
Kush do ta vrasë Ujkun?!

Mjerë kopeja

(Kozencë, 1988)

 

RËNKIMI

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
e vatrat shkimbur deri në një,

Zogun në qiell vrarë ta kanë.
Me duar të mia të çara
me rrashtat tona t’shpura mbuluar të kanë.

Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarëjemi…
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!

Plepi im qiellin do ta shpojë,
plepi im i kallur –
qiellin e humbur majë një shpate.

 

PËRTEJ DHIMBJE

Ka rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të
shituar, Kosovë.

Konaqet e tua deri në themel po rrënohen,
e përtej dhimbjes do britje shemben me ballin tim,
me krahët e zogut tim të vrarë me dashurinë e
njerëzve të mi të kallur etjeje.

Rreth trupit tënd si gjarpër mbështjellë jam,
vatrat e shkimbura për t’i përflakur,
duar e këmbë t’i lidh me lëmshin e përrallave të tua –
se s’të lëshoj gjallë me gjak, pa të larë pëllëmbë për
pëllëmbë, eshtra e jetë në ty pa i lënë
konak e më konak pa të ndezur flakë…
10 Kam rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të
shitur prej pushkës kobzezë, prej pushkës
së padukshme…
Cila do të jetë kënga ime e mbramë dhe fjala e fisit tim^

Plepi i shtëpisë sime u dogj, ku t’i preh sytë,
ku ta shuaj flakën e ujës për ty, Kosovë?

ANKTHI

Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë…

Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje…

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë

e ngrirë n’ajër?
Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes?
– Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më
kish mbirë!

Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar…

 

UNË, BIRI YT, KOSOVË

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.

 

NJË NATË NGA NETET PA GJUMË

Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemer,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
per të përqafuar unë, ashti yt?

Zgjohu, Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë keto gjurmë gjaku që po shtohen
nëper fytyren tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rrethë shtëpisë sime?…
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…

Sonte vëtem mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në keto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!

 

DASHURIA

Koha është të duhemi,
të kesh besim ne mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejme këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,
do ta ndez llambën në kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi.

 

EPIKA

Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s’kam të qesh me veten c tepruar…
Miq,

Kosova është gjaku im që nuk falet!

 

KUR U ZGJUAM

Kur u zgjuam
ishim vishkull
fshiheshim nga vetvetja

Ujerat na i k’in bartur edhe endrrat
dhe leshuar na i k’in qente
dhe rrezuar na i k’in gardhiqet

Deri ne Maje te Majes kundermonte bar minjsh

Kur u zgjuam
ploje i kishte bere vathet
Ujk i Cale

E fluturimin e zogut
e buzeqeshjen e femijes
e fytyren e nenes i kishim relikte

Tani shikojme Qiellin e Verdhe kah hapet
dhe bartim ne shpine Malin e Ulurimave
derisa te na harrojne te vdekurit

 

URA E ARTËS

Ti na qenke ajo ura që në heshtje të vdekshme
Të kohëve të serta kënduar të ka im atë
Bjeshkëve të Namuna e krahasuar me Urë të Shenjte
Urë moj Urë e Artës

Deri te guri yt i latuar nga mjeshtrit epirotas
Udhë bëra vite e vite
Po Hamzë Podrimja nga Gjakova ku arriti
Urë moj Urë e Artës
Lumit tim sa vjet i duhen
Nëpër ty të kalojë me një lulkuq në dorë
Apo historia jonë shtangu në sqep korbi
Urë moj Urë e Artës

Me një krah në qiell me tjetrin në mishin tim

(Artë, 1986)

 

VRIMA E PARE E FYELLIT TIM

Ç’gurron guri ne gurine
gur guri nder gure me i guri

Gur i gurezuar prane gurit
gurth i nguruar rreth gurit

Gurron guri ne gure guresh
guro guroje gurin ne gurine

Ç’guri prane gurit gur guri
vrime e pare e fyellit tim.

 

GURI

(Pres me dite tres perdite)

Hudh gurin ne hapesi
sizifi plak me mund!
Prape e hudh dhe e hudh
vale e me vale e i gjalle.

Pres me dite tres perdite
hapesi e hapesi kerkon!
Rrenje leshon ne mundesi
ne pamundesi erna tremb.

Hudh gurin ne hapesihapesi
ç’pon e ç’pon
Kohera e kohera pergjak
dhe mund Sizifin plak.

 

METAFORA E JETËS TIME

Nese s’flas
jeta ime s’ka qetesi
fjala ime behu Une

Heshtja te te mos shtype
ne gurernulliri

Nese s’flas
jeta ime s’ka qetesi
fjala ime behu Une

Plaga ime
le te marre
fryme thelle

 

NJË DITË

Nje dite heshtja
do te me gjuaje
me eshtra te mia
ose do ç’mendem duke rrenuar.

Shtat Leshon nje Lulekuq
heshtja ime eshte me e vjeter
se une e me e forte
se vdekja ime.

Ajo eshte pamundesia ime

Heshtja kur fle
numeroj yjet
luaj me hije luaj me thika

E nje fushe te bardhe
shtat leshon
nje lulkuq

Se heshtja ime
ka peshen e gurit te mallkuar
dhe gjuhen e njeriut te gozhduar ne shkemb.

 

PLAGA E GJALLË

Perdite zbres te Liqeni i Shtanbergut
ku vazhdojne te shtohen peshqit
per t’i argetuar edhe ata te Dheut te Huaj.
Mbi tepe kreje nga fundi i dites
shoh vetem zogun e vendlindjes se shprishur
duke u mbyllur ne plage te gjall.

 

ELEGJI

Te kishim lindur
ne nje kohe tjeter
Urithi s’do ta gerrynte Drinine.
Do te isha i lis i drejte
me diell
mbi vetull e molle ne shtize.
Tani i thyej dhembet
me kurrkushin
e pres te hapet Qielli i Verdhe.
Nuk ta di as varrin miku im
Bie kendej apo andej
Murit te Arberit.

 

NË ZINDANË

C’eshte teper
teper eshte.
Nje jete e diqka
ne nofulla ujku.
Oh Nene
Ne vale te Drinit
te me hidheshe me mire.
Do te me gjente Gjergji
diku ne detin Jon.
E sopata s’do ta hante Malin.
C’eshte e teper
teper eshte.
Nje jete e diqka ne zindane.

 

SHQIPTARËT

Zoti nuk ua kishte faluras bar
vetem gjarperinj
e gure

Por ata kishin diqka
qe kurr s’mund ua zbuloi i madhi
Jetonin gjate

Dhe kur vdisnin
vdisnin
duke kenduar oi oi oi

Te koka
ua binte
nga nje rrap i care ne dysh

 

LIRIA ËSHTË E TMERRSHME

Dikund i kam pare keto fytyra
Dikund jam takuar me keta njerez
Edhe kete muzik e kam degjuar
Ndoshta vellau im Aleksander Moisiu
ma ka derguar ndonje kartpostale
nga Salzburgu nga Vjena
Ose ne ndonje shirit filmi
ka mbyllur tere kete madheshti shpirterore
para Vdekjes te me trimeroje
Keto fytyra i kam pa dikund
dhe kjo muzik me ka zgjuar shpesh
Ndoshta Lojza dhe une si djerradites
te fundshekullit
Evropes kur kerkonim Lundwigun
ate zbulues te madh te shpirtit njerezor
Ja maje thikave ngjutem duarthate kembezdathur
Qetesine mbreterore te Villa Waldbertes
ne Ballkanin e lulekuqeve ta hap
Ta kujtoj nje cast te lumtur nga Golgota ime
ne shtepine te breshkes
cdo gje ishte e tmerrshme
edhe liria

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albanologu, përkthyes e kritik... iku!

Lanksh, dashnori i gegnishtes së Camajt


Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!