Sheshi “Adem Jashari” në Skënderaj, sot u kthye në një shëtitore të panairit me veshje tradicionale, organizuar nga shoqata “Drugëza” dhe nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Bekim Jashari.
Në këtë panair dyditor marrin pjesë gra nga Prishtina, Kaçaniku, Malisheva, Shtime, Mitrovica, Gjilani, Drenasi dhe Skenderaj, të cilat do të ekspozojnë punimet e veshjeve tona tradicionale.
Në hapje të panairit, kryetari Jashari ka thënë se këto ditë qyteti ynë është mikpritës i shumë aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore, argëtuese dhe sportive, për nder të ardhjes së bashkatdhetarëve për pushime në vendlindje.
“Panairi është pjesë e aktiviteteve të organizuara, për çka jemi të lumtur që ka mbledhur shumë gra të zonja, të cilat merren me punimin e veshjeve tradicionale, duke e ekspozuar artin e punës së dorës”, – ka thënë kryetari, Jashari.
Ai ka shtuar se, ky aktivitet do të shërbejë gjithashtu, që gjenerata e re e shqiptarëve e lindur në shtetet larg Kosovës, të njihet për së afërmi me traditën dhe kulturën e pasur të veshjeve tona tradicionale.