“Kuvendi i Kosovës të votojë për shpërbërjen e tij dhe të caktohet data e zgjedhjeve”, kjo është kërkesa e bërë nga kreu i Kuvendit dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli.
Kjo zgjidhje sipas tij është që vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje.
Këtë deklaratë, Veseli e bëri pas mbledhjes së parë të Këshillit Drejtues të PDK-së.
“Mos t’i maltretojmë qytetarët, është koha e vendimmarrjes. I kisha thirr kolegët e mi të partive politike, të mblidhemi në Kuvend, duhet të ndodh shpërbërja e Parlamentit, të merremi vesh për datën e zgjedhjeve”, tha Veseli.
Ai ka thënë se ka dy mundësi për caktimin e zgjedhjeve, takimi i partive politike me presidentin dhe vendimi i Kuvendit për shpërbërje, që sipas Veselit ky i dyti është dhe më i shpejt.
Veseli tha se do të marrë iniciativën, që është në përgjegjësit e tij kushtetuese, për të thirrur një seancë të Kuvendit, për të vendos shpërbërjen me dy të tretat e votave.
“Është koha e vendimmarrjes. I kisha ftuar kolegët e mi të partive të politike që të mblidhemi në Kuvend dhe të merremi vesh për datën dhe ta vetë-shpërbëjmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje. Kjo është më e mira për zgjedhje”, tha ai.
Në lidhje me ftesën e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj që u ka bërë për takim partnerëve qeverisës, Veseli ka lënë të nënkuptohet se nuk do t’i përgjigjet ftesës, duke pohuar se kjo tani nuk ta të me asnjë individ dhe se “kryeministri në largim, është kryeministri në largim”.
“Dorëheqja ka qenë dëshirë e kryeministrit. Ne do të shkojmë në proces zgjedhor. Qytetarët janë ata që i japin dikujt mandat qeverisë. Nga ky proces zgjedhor do të kemi një rezultat bindës për PDK-në. Kosova ka institucione, nuk ka nevojë të krijohet konfuzion. Zgjedhjet janë të pashmangshme. Partitë politike të mos mbajnë deklarata, por të marrin vendimin për shpërbërjen e Kuvendit me dy të tretat dhe të ecim më tutje”, tha Veseli.