Vllaznia është duke punuar seriozisht për të formuar grupin e duhur që trajneri Mirsad Jonuz të ketë mundësi të bëjë zgjedhjet e tij dhe skarcimet.
Klubi kuqeblu ka zyrtarizuar sot afrimin e Aleksandar Ristevski, 29 vjeç dhe mbrojtës.
Sezonin e shkuar ka luajtur me Pobedën në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Ja dhe komunikata për shtyp e klubit.
“KF Vllaznia ka bërë realitet ditën e sotme një tjetër afrim në merkato. Drejtuesit teknik kanë rënë dakord që futbollisti maqedonas Aleksandar Ristevski të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm duke plotësuar kësisoj nevojat që ajo ka për përforcime në repartin e mbrojtjes.
Për rrjedhojë administratori i klubit z.Suad Lici ka firmosur sot kontratën me këtë futbollist duke e bërë tashmë pjesë të Vllaznisë për sezonin e ardhshëm si dhe do të jetë pjesë e saj edhe për periudhën e Kupave të Europës nëse ajo arrin një objektiv të tillë.
KF Vllaznia i uron mirëseardhjen futbollistit Aleksandar Ristevski dhe premton që pas tij të ketë edhe të tjerë lojtarë që do të vishen kuqeblu sepse pretendimet tona janë për ndërtimin e një ekipi cilësor për sezonin e ri futbollistik”.