Balerini i suksesshëm shqiptar në Itali, Kledi Kadiu, është emëruar anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit të Akademisë Kombëtare të Baletit, në Romë.
Ky vlerësim është bërë nga ministri Italian i Kulturës Alberto Bonisoli, me motivin e suksesit profesional të balerinit shqiptar në Itali.
Megjithëse në moshë të re, aktualisht 45 vjeç, Kledi Kadiu ka një përvojë jot ë paktë artistike.
Suksesi televiziv në Itali erdhi pas pjesëmarrjes së tij në programet “Amici” , “C’e posta per te”, “Buona Domenica”, “Proggeti Danza” e “Pequenos Gigantes”.
Në Romë, ka themeluar shkollën e tij të baletit “Kledi Dance”.
Gjithashtu balerini shqiptar ka recituar në disa prodhime kinematografike si “Passo a due”, “La cura del gorilla”, “La nave dolce”; “Chi lo avrebbe mai detto” etj.
Më vitin 2009, Kledi Kadiu publikon në Itali, librin e tij të parë autobiografik për të cilin vlerësohet me çmimin “Elsa Morante”, për shkrimtarët e rinj.
Po më 2009-ën, emërohet ambasador i UNICEF e bashkëpunon në disa projekte për mbrojtjen e fëmijëve nga diskriminimi e shfrytëzimi i punës në Bangladesh.
Ndërsa në vitin 2013, ai vlerësohet me çmimin ndërkombëtar të kulturës “Re Manfred”.
Lajmin për këtë vlerësim e ka dhënë dhe vetë balerini shqiptar në rrjetet sociale.
“Stina e verës, shkruan ai, shpesh lulëzon nga lajmet e bukura. Këto ditë u zyrtarizua emërimi im, si anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit të Akademisë Kombëtare të Baletit në Romë, ky besim nga ana e ministrit të Kulturës, më mbush me gëzim e krenari. Do të përpiqem të bëj një punë të mirë dhe do t’i kushtohem këtij impenjimi të ri, me gjithë pasionin e përkushtimin që kam gjithmonë për punën”, – shkruan Kledi Kadiu.