Përgjatë vitit 2018, Shqipëria ka kryesuar mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor me numrin më të lartë të emigrantëve që janë tranferuar për një jetë dhe punë më të mirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Kjo valë migratore shqetësuese dëshmohet nga të dhënat e Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat).
Italia, Greqia dhe Gjermania kanë qenë për vitin që lamë pas, streha për 62,000 shqiptarë që zgjodhën të largohen nga toka amë.
Në terma demografikë për rajonin dhe vendosur në një rrafsh krahasimor, Shqipëria me popullsi që kap shifrën e 2.8 milionë banorëve, është burimi më i madh i emigrantëve, largimi i të cilëve ka “tkurrur” vendin me 2.2% të popullsisë së përgjithshme.
Ndërsa, e dyta në radhë është Bosnja dhe Hercegovina, vend aspirant për në BE, me 55.300 shtetas të larguar. Më tej, radhitet Serbia, vend në proces negocimi me Unionin, me 51,000 njerëz të larguar. Ndërsa, në shifra më minore ndiqet nga Kosova (34.500), nga Maqedonia e Veriut (24.300) dhe nga Mali i Zi (3,000).
Gjermania, toka e parapëlqyer për shumicën e ballkanasve, pasohet si vend pritës nga Sllovenia dhe Kroacia.