Prishtina ka çelur ditën e sotme, seminarin ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Ky seminar është organizuar për të 38-ën herë dhe konsiderohet si ngjarja më e madhe e Albanologjisë.
Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, ka thënë se me rastin e ceremonisë hapëse të seminarit se investimi në të është investim për ardhmërinë e një shteti.
“Institucionet në Prishtinë dhe Tiranë, duhet të jenë përkrahëse ndaj këtyre traditave kulturore”.
Kurse Mynyr Koni, rektori i Universitetit të Tiranës, ka kërkuar që të krijohet hapësira që ky seminar të organizohet edhe në Tiranë.
“Ky aktivitet paraqet punimet të veçanta nga albanologë të ndryshëm. Këto studime kanë vlerën e tyre në trojet shqiptare. Kolegët dhe profesorët duhet të krijojnë një revistë unikale për studime albanologjike”, – ka theksuar, Koni.
Ndërkaq, drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi, ka kujtuar se janë bërë 45 vjet prej kur organizohet kjo ngjarje.
“Ky seminar edhe këtë vit, ka mbledhur dashamirë nga shumë vende të botës, të cilët nga ana e tyre, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesëmarrës. Kjo pjesëmarrje e bën këtë ngjarje, të veçantë”.
“Seminari do të ketë dy komponentë kryesore që do të bëhen përmes kurseve të gjuhës shqipe, që është një rast i mirë të studentët e huaj që ta mësojnë gjuhën shqipe dhe të fillojnë studimet e Albanologjisë”, – ka shtuar ai.
Në këtë aktivitet, që do të mbahet deri më 30 gusht, do të ketë referime shkencore, sesione shkencore, sesione të doktorantëve dhe ligjërata dhe tryeza për studiesit.