MENU
klinika

Project Syndicate

Mrekullia e vitit 1989

20.08.2019 - 15:24

Ky muaj shënon 30 vjet që nga koha kur Evropa filloi të pësonte një transformim të mrekullueshëm.

Deri në verën e vitit 1989, Bashkimi Sovjetik ishte në rënie. Pyetja e vetme ishte nëse komunizmi do të shpërbëhej në mënyrë paqësore, apo nëse dhuna do të shpërthente.

Në Bashkimin Sovjetik, politikat e Mikhail Gorbaçov kishin hapur ‘portat e ndryshimit’, dhe ai ende dukej se besonte se sistemi komunist mund të shpëtonte përmes reformave. Ndërkohë, një pjesë e madhe e evropianëve kishin frikë se një kolaps i mundshëm i sistemit do të bënte që tanket e Ushtrisë së Kuqe të dilnin përsëri në rrugë dhe sheshet e qyteteve.

Askush nuk e dinte nëse Bashkimi Sovjetik mund të mbijetonte pa përdorur forcë. Ishte një kohë nervozizmi për Evropën.

Por ishte edhe një kohë ndryshimi. Përpjekjet për të shtypur sindikatën e pavarur të Polonisë, Solidariteti (Solidarność), kishin dështuar. I detyruar të bënte kompromis, regjimi komunist polak mbajti zgjedhje gjysmë të lira në qershor 1989. Ndërkohë, në të tre republikat baltike (Estonia, Letonia dhe Lituania), kishin nisur të kërkonin më shumë autonomi nga Bashkimi Sovjetik, dhe së shpejti filluan të kërkojnë pavarësi të plotë.

Por, arena qendrore, potencialisht shpërthyese në 1989 ishte e ashtuquajtura Republika Demokratike Gjermane (GDR), pra Gjermania Lindore.

Në Kremlin, ndërkohë, akoma besohej se perandoria ishte e sigurt dhe mund të reformohej. Por potenciali i fshehtë i demonstratave shpejt u bë i dukshëm. Njerëzit filluan të iknin nga RDGJ. Shumë shpejt, autoritetet hungareze nuk kishin alternativë tjetër përveç hapjes së kufirit. Më 9 nëntor, udhëheqësit e rreptë të RDGJ-së madje hapën vetë Murin e Berlinit.

Shteti i Gjermanisë Lindore do të zhdukej në më pak se një vit. Pas zgjedhjeve demokratike në mars 1990, Gjermanët Lindorë vendosën të bashkohen me Republikën Federale të Gjermanisë. Me zhdukjen GDR, rënia e perandorisë Sovjetike ishte e pashmangshme.

Disa mendojnë se ndryshimi i rëndësishëm që filloi në vitin 1989 ishte i pashmangshëm.

Askush nuk mund ta dijë se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishin mbizotëruar më shumë forca konservatore brenda Kremlinit. Me shumë mundësi, do të kishte pasur kaos dhe dhunë të përhapur në pjesën më të madhe të rajonit, gjë që do ta vinte Perëndimin nën presion për të ndërhyrë.

Fatmirësisht, urdhri për luftë për Ushtrinë e Kuqe nuk u dha kurrë. Një pjesë e arsyeve ishte se liderët sovjetikë besuan se një goditje ishte e panevojshme dhe sistemi do të mbijetonte.

Tridhjetë vjet më parë, Evropa përjetoi disa muaj me të vërtetë të mrekullueshëm. Sot, duhet të nderojmë jo vetëm ata që luftuan për ndryshime, por edhe ata që nuk pranuan të dërgonin tanket.

Gjaku mund të kishte rrjedhur nëpër rrugët e Evropës edhe një herë, por nuk ndodhi.

Carl Bildt ishte Ministri i Jashtëm i Suedisë nga 2006 në 2014 dhe Kryeministër nga 1991 deri në 1994, kur ai negocioi pranimin e Suedisë në BE. Një diplomat i njohur ndërkombëtar, ai shërbeu si i dërguari special i BE-së për ish-Jugosllavinë, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjën dhe Hercegovinën, i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara në Ballkan dhe Bashkëkryetar i Konferencës së Paqes në Dejton. Ai është bashkëkryetar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.