MENU
klinika

Project Syndicate

OKB, ‘e preferuara’ e Rusisë…

21.08.2019 - 12:30

Kur rusët dëgjojnë për rendin “e bazuar në rregulla”, pyesin se kush po i shkruan rregullat. Në fakt, e njëjta pyetje shtrohet tani lidhur me qëndrimin e Kremlinit ndaj multilateralizmit të kryesuar nga perëndimi.

Në mënyrën se si e sheh Rusia, Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të veprojnë në mënyrë të njëanshme kur të ketë nevojë, dhe është pikërisht ky standard i dyfishtë që ka dëmtuar rregullat globale.

Kurdo që Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paraqitet në skenën ndërkombëtare, ai rrëfen pa pushim shkeljet e supozuara të Amerikës të ligjit ndërkombëtar, nga bombardimi i vitit 1999 i Jugosllavisë dhe pushtimi i vitit 2003 në Irak, deri në sulmet ajrore të vitit 2011 që ndihmuan në rrëzimin e regjimit të Muammar el-Qaddafi në Libi.

Kur SHBA dëshiron një pretekst ligjor për veprimet e saj, ajo i drejtohet organeve shumëpalëshe si Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Prandaj, nuk është për t’u çuditur që Rusia i sheh debatet për rendin shumëpalësh të bazuar në rregulla si hipokrite, dhe si një komplot të sofistikuar.

Shembujt më të gjallë të kësaj qasjeje janë njohja zyrtare e Rusisë për dy rajone të shkëputura të Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Sipas mendimit të udhëheqjes ruse, këto veprime ishin masa “mbrojtëse”.

OKB-ja, është forumi multilateral i preferuar i Rusisë. Si një anëtare e përhershme e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe si një forcë e fuqishme ushtarake, Rusia ushtron shumë ndikim atje.

Drejtuesit e Rusisë do të donin të shihnin një botë në të cilën të gjithë, veçanërisht SHBA, respektojnë Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Pranimi i ngadaltë i vendit në Organizatën Botërore të Tregtisë është një rast i rëndësishëm. Për shkak se Rusia eksporton kryesisht mallra, vendimi i saj për t’u anëtarësuar në OBT u drejtua më shumë nga prestigji që do të vinte me anëtarësimin sesa ng aspekti ekonomik. Si rezultat, u deshën 19 vjet që Rusia të bashkohej me organizatën (në 2012).

Një shembull tjetër është ndryshimi i klimës. Edhe pse Rusia është zyrtarisht në negociatat ndërkombëtare që kanë qëllim të zvogëlojnë emetimet e gazit serë, sipas mendimit të Kremlinit, ngrohja globale nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm për Rusinë.

Në mungesë të një bote të qeverisur me të vërtetë nga e drejta ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së KB, versioni i preferuar i multilateralizmit i Rusisë është diçka e ngjashme me “Koncertin e Kombeve” të shekullit XIX në Evropë. Disa fuqi të mëdha të zgjedhura duhet të bashkohen herë pas here për të diskutuar çështje globale dhe të ndërmarrin veprime kolektive kur interesat e tyre janë të njëjta, të tilla si në luftën kundër terrorizmit.

Në të njëjtën kohë, këto fuqi duhet të përmbahen nga ndërhyrja në punët e njëri-tjetrit, në mënyrë që të ruajnë sferat e tyre të ndikimit.

Elena Chernenko është Zëvendës Redaktore e Jashtme në Shtëpinë Botuese Kommersant në Moskë.

Alexander Gabuev është bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Carnegie në Moskë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kundërshton "Ligjin e më të fortëve"

Edhe Makron kundër Trump…