MENU
klinika

"Mallkimi i gjuhës shqipe"

Atdhetarët që sot i mungojnë Shqipërisë

23.08.2019 - 12:13

       MIHAL GRAMENO (1872-1931) – Hero i Popullit. Profesori Thanas Gjika, thekson: “Mihal Grameno ishte një ndër shkrimtarët dhe gazetarët e përkushtuar dhe të talentuar të letërsisë dhe gazetarisë shqiptare, ai ishte një ndër figurat e kulluara të atdhetarizmit shqiptar; ai ishte një politikan, shkrimtar dhe luftëtar i shquar i lirisë, i cili gjithë energjitë e veta ia kushtoi luftës për liri e demokraci të popullit tonë. Vepra e Mihal Gramenos, që është aq e përkushtuar ndaj atdheut e çështjes kombëtare, ka vlerë aktuale, mbasi sot po mungojnë gjithnjë e më shumë atdhetarë të tillë”./Konica.al

U lind në Korçë në një familje atdhetare. Studioi në shkollën e mesme lokale, para se të emigronte në Rumani në vitin 1885. Në Bukuresht u përfshi në Zgjimin Kombëtar Shqiptar dhe, në 1889, u be sekretar i shoqërisë “Drita”. Në vitin 1907, iu bashkua çetës së sapoformuar të Çerçiz Topullit. Për gati 15 muaj (maj 1907-korrik 1908) luftëtarët e çetës kombëtare drejtuar prej Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos shkelën dhjetëra e dhjetëra fshatra, ku krahas agjitacionit për zgjimin kombëtar, u ndeshën edhe me armë kundër forcave policore e ushtarake osmane, si në Mashkullorë, Libofshë e në Vodicë të Kolonjës. Këto fakte tërheqëse, Gramenoja i riprodhoi me detaje në veprën “Kryengritja shqiptare”.

Ata u konsideruan apostujt e lirisë. Erdhën në Shqipëri dhe shkuan fshat më fshat në Jug dhe diskutonin gjendjen e vështirë shqiptare dhe ngritjen në luftë. Kjo çetë pati fatin që në radhët e saj kishte Mihalin, i cili shkroi në libra heroizmat e saj për ta bërë të pavdekshme.

 

 

 

 

Mihal Gramenoja mori pjesë në Kongresin e Manastirit në 1909; më vonë, në Korçë, themeloi Lidhjen Ortodokse; në vitin 1910 organizata shpalli krijimin e një kishe të pavarur shqiptare, por nuk u njoh nga Perandoria Osmane. Për veprimtari patriotike, Mihal Grameno u dënua disa herë me burgime.

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore u detyrua të largohej në SHBA. Grameno udhëtoi në Evropë për të përfaqësuar Shqipërinë në komunitetin shqiptaro-amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, ndërsa në vitet e ardhshme u kthye në Shqipëri. Në vitet 1921-’24, si publicist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë dhe i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë në vitin 1931. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve.

Krijimtaria: Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Novelat e tij u hapën rrugën romaneve të para shqipe. Tek “Oxhaku” dhe e “Puthura”, trajtoi çështjen e pabarazisë shoqërore si burim fatkeqësish në jetë. Tek “Varri i Pagëzimit” paraqet luftën e pamëshirshme, që bëri kleri reaksionar grek kundër mësimit të gjuhës shqipe. “Kryengritja shqiptare” zë vend të veçantë në krijimtarinë e Gramenos. Në pjesën e parë flet për çetat kryengritëse, për luftimet dhe punën propaganduese të çetës së Çerçiz Topullit, ai bën portrete të qëlluara luftëtarësh e njerëzish të thjeshtë të popullit.

Në prozën e Gramenos nuk mungojnë edhe pjesë me nivel të kënaqshëm artistik, përshkruan dhe dialogë të gjallë. Komedia “Mallkimi i gjuhës shqipe” trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementeve grekomanë. Tek “Vdekja e Pirros” trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij pabesisht. Bien në sy vjershat atdhetare, që i kushtohen lëvizjes kryengritëse: “Për mëmëdhenë”, “Lamtumirë”, “Uratë për liri”, të cilat u përhapën mjaft, u kënduan edhe si këngë.

 

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë,

Vraponi, burra, se s’ka me prit!

Të vdesim sot me besa-besë,

Pranë flamurit të kuq që u ngrit.

 

 

 

 

Grameno shkroi dhe vjersha, të cilat i botoi të përmbledhura në librin: “Këngëtore shqipe-Plagët”. Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin pavarësinë e Shqipërisë. Me shkrimet e tij, Grameno del si përfaqësues i anës më të vendosur e më demokratike të Lëvizjes sonë kKombëtare. Ai godet ashpër jo vetëm pushtuesit osmanë, por edhe armiqtë e tjerë të çështjes kombëtare… Një nga dokumentet më të shquara të gazetarisë e të lëvizjes demokratike të atyre viteve është artikulli “Bashkim dhe Përparim”. Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve i botoi në gazetat “Lidhja Ortodokse” (1909-1910) në Korçë, “Koha” (1911-1926) në SHBA, me disa ndërprerje, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe “Drita” në Sofje, të cilat i drejtoi vetë. Në fillim të viteve ’20-të zgjerohen pikëpamjet politike të Gramenos. Në gazetën “Koha” ai boton artikuj me ide demokratike dhe propagandon ngjarjet e mëdha politike të kohës./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqipja e luftëtarëve”

Gjuha mëmë mbrojtur me gjak


Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!