Është ideja e regjisorit Stanley Kubrick, që po cilësohet si filmi më i madh i papërfunduar, i të gjitha kohërave, – shkruan kritiku i kinemasë, Nicholas Barber.
Ekspozita “Stanley Kubrick” çelur në Muzeun e Dizajnit në Londër, analizon realizimin e çdo filmi të regjisorit të jashtëzakonshëm. Por, pjesa hyrëse i kushtohet pikërisht filmit që realizoi Kubrick: biopiku për Napoleon Bonapartin. Sado e çuditshme të duket, tifozët e Kubrick-ut janë të dhënë pas “Napoleonit” – që këtu përdoret si titull pune – siç janë për çdo gjë tjetër në krijimtarinë e tij mahnitëse. Tashmë, kritikët janë në një mendje se ky film, është më i madhi, i papërfunduar, nga regjisori.
Për më tepër, historia sesi “Napoleoni” ishte gati po nuk u bë, ilustron ambicien e lartë të Kubrick-ut, etjen e tij intelektuale dhe planifikimin deri në obsesion.
“E vendosëm ekranin para, sepse është ilustrim i bukur i procesit”, – thotë Adrienne Groen, bashkë-kuratore e ekspozitës. “Mund të shihni metodat dhe sasinë e materialit që mblodhi, para se të niste punën”.
Ekspozita përbëhet nga fotografitë, skicat e dokumentet, midis të cilave një letër nga Audrey Hepburn që hedh poshtë rolin e gruas së Napoleonit, Jozefinës (Joséphine de Beauharnais). David Hemmings ishte zgjedhja e regjisorit për rolin kryesor. Ndërsa, është një koleksion i 276 librave për perandorin francez, përfshirë edhe biografinë e Felix Markhamit që është sqaruar me fusnota, nënvizime dhe shënime: “Kush e vrau carin Pal? Si funksiononte tamam politika”? Më intriguesja nga të gjitha është kabineti prej druri me kartoteka, të cilin bashkë-kuratori i Groenit, Deyan Sudjic, e quan “Ëikipedia analoge”.
“Zgjidheni cilëndo ditë në jetën e Napoleonit, hapeni sirtarin e duhur, merre kartën përkatëse dhe aty ka informacione që mbulojnë gjithçka”, – thotë Sudjic – “që nga ato që ai kishte ngrënë për mëngjes e deri tek ajo që Jozefina kishte veshur në mbrëmje”.
Por, ekspozita e Muzeut të Dizajnit paraqet veç një “pjesë të vogël” të koleksionit të Kubrick-ut për “Napoleonin”.
Në mesin e materialeve të ekspozuara në Muzeun e Dizajnit, është një letër e shkruar nga aktorja Audrey Hepburn, që hedh poshtë rolin e gruas së Napoleonit.
Gjithçka nisi teksa ai po e përfundonte kryeveprën e tij të fantashkencës, “2001: A Space Odyssey” (1968), kur vendosi që subjekti i ardhshëm, sipas fjalëve të tij, të ishte “një nga ata burrat e rrallë që lëvizin historinë dhe formojnë fatin e kohës së tyre dhe të gjeneratave që vijnë”. I dërgoi studiuesit në të gjithë Evropën, për të hasur në gjurmët e Napoleonit. Një nga ata studiues ishte kunati dhe producenti ekzekutiv, Jan Harlan.
“Isha në Cyrih, më 1968 dhe 1969”, – thotë Harlan, tani 82 vjeç, – “duke kërkuar materiale, libra dhe vizatime, gjithçka që mund të gjeja për periudhën nga Revolucioni Francez e deri në Kongresin e Vjenës, më 1815. Të tjerët udhëtuan për javë të tëra nëpër Gjermani, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, me të njëjtin mision”.
Asnjë detaj nuk ishte i parëndësishëm për Kubrickun, qoftë ngjyra e tokës në një fushëbetejë e deri te forma e gozhdës në patkua, përcjell telegrafi.
“Ai e donte studimin dhe hulumtimin”, – thotë Harlan. “Parapërgatitja ishte kënaqësia e tij, ndërsa realizimi i filmit ishte domosdoshmëri”.
Në vitin 1969, Kubrick-u e përmbushi hulumtimin dhe studimin në një skenar prej 148 faqesh. Siç thotë Harlani, “skenarët e tij, shpesh ishin më të ndryshëm se filmi përfundimtar”. Por, është e qartë se biopiku nuk do të kufizohej vetëm te një pjesë e jetës së Napoleonit, por se do ta ndiqte që nga lindja e tij në Korsikë më 1769, e deri në vdekjen e tij në ishullin e largët të Shën Helenës më 1821. Theksi do të ishte te betejat që Kubrick-u i quante “balete masive vdekjeprurëse”, si dhe dashurinë e Napoleonit për Jozefinën, “një nga pasionet më të mëdha të të gjitha kohërave”. Kryesorja, filmi nuk do të ishte një “maskaradë historike”, por evokim autentik i jetës siç ishte në shekujt XVIII dhe XIX.
Drejtimi i një filmi si ky, për “tetarin e vocërr” ishte detyrë e madhe, por Kubrick dukej i qetë kur e diskutonte në intervista. Produksioni, i tha ai një gazetari, do të marrë kohë “dukshëm më pak” sesa “2001”-shi. “Xhirimet e jashtme – betejat dhe vendet tjera – duhet të përfundojnë brenda dy ose tre muajve. Pas kësaj, puna në studio nuk duhet të zgjaste më shumë se tre muaj tjerë”.
Kubrick, besonte se nuk kishte nevojë për skenografi në studio, meqë gjithçka do të xhirohej në vendet reale në Francë.
Ai donte të huazonte “të paktën 40 mijë këmbësorë dhe 10 mijë kalorës” nga ushtria rumune, ndërsa shtonte se rikrijimi i fushatave të Napoleonit “nuk ishte punë aq e vështirë, siç dukej”. As nuk shqetësohej për buxhetin. Shumë prej uniformave për ushtarët rumunë do të bëhej nga një lloj i veçantë i letrës, shumë më i lirë se pëlhura, por e padallueshme në kamera. Ndaj, nuk do të kishte nevojë për të ndërtuar skenografi të detajuara në studio.
“Shumë nga pjesët e brendshme të pallateve mund të xhirohen në vendet reale në Francë, ku mobiliet dhe gjithçka tjetër ishin të gatshme dhe ku mund të lëvizej me një ekuipazh të vogël dokumentarësh”.
Rezultati do të ishte i paparë. Deri atëherë, thoshte Kubrick, nuk ishte “asnjë film i madh historik” dhe “asnjë film i mirë ose i saktë” për Napoleonin. Edhe saga pesë orë e gjatë e vitit 1927, e regjisorit Abel Gance, e adhuruar nga kritikët, u hodh poshtë si “i tmerrshëm”… një film i papërpunuar”. Për dallim nga të gjithë, “Napoleoni” i tij do të ishte “filmi më i mirë realizuar ndonjëherë”.
Kjo ishte e mundshme. Nëse asgjë tjetër, Groen beson se “Napoleoni” mund të ishte “filmi më ikonik i Kubrickut”, duke ndërthurur “ritmin e ngadaltë të ‘Barry Lyndon’-it, vëmendjen për detajet te ‘2001’-shi, dhe fushëbetejat masive të ‘Spartacus-’-it”. Ndërsa, Harlan beson se do të ishte mjet i përsosur për preokupimet e Kubrickut: “Veprimet vetëshkatërruese nga njerëzit inteligjentë, helmi i xhelozisë dhe hakmarrjes, mënyrat sesi shkëlqimi, suksesi dhe fuqia mund të shkojnë paralelisht me egon, sqimën dhe abuzimin e një pushteti të tillë… këto ishin temat që e interesonin gjithmonë. Mendoni për ‘Lolita’-n, ‘Paths of Glory’ dhe ‘Dr. Strangelove’”.
Fatkeqësisht, studioja që kishte financuar “2001”-in nuk u bind.
“Stanley kishte marrëveshje të paraproduksionit me kompaninë MGM”, – thotë Harlan, “një marrëveshje për të bërë një plan, planifikim dhe buxhet. Këto elemente u dorëzuan, por MGM nuk e vazhdoi në fazën tjetër”.
Për të rikrijuar kampanjat e Napoleonit, ai donte të huazonte 40 mijë këmbësorë dhe 10 mijë kalorës nga ushtria e Rumanisë
Koha nuk po ecte për Kubrick-un. “Metro-Goldëyn-Meyer” sapo kishte ndryshuar pronarët, të cilët kishin më shumë dëshirë të ndërtonin kazino sesa të financonin dramat monumentale historike me 50,000 ushtarë. Ndërkohë, epika e Dino De Laurentiisit, “Uaterlo” (1970), nuk ofroi “asnjë mbështetje”. Për ta parafrazuar grupin ABBA, Kubrick më në fund, u përball me Uaterllon e tij, në më shumë se një mënyrë.
Ishte një fund i trishtuar, që Harlan e përshkruan si “dy vjet me përkushtim të plotë”, por që nuk e zmbrapsën Kubrick-un. Pasi është marrë me një adaptim të romanit të Arthur Schnitzlerit të vitit 1926, “Traumnovelle” – nga i cili u bë “Eyes Ëide Shut”, tri dekada më vonë – vazhdoi të bënte filmin “A Clockëork Orange”. Në këto rrethana, është pothuajse e pabesueshme, se ky film u shfaq vetëm tre vjet pas “2001”-it.
Më vonë erdhi “Barry Lyndon” (1975), ku u përfshinë disa nga hulumtimet e Kubrick-ut për “Napoleonin” dhe shumë prej ideve të tij inovative në lidhje me dramat e epokës: duke përdorur për shembull, lente ultra të shpejtë 50 milimetërshe, në mënyrë që skenat të ndriçoheshin me qirinj, llamba vaji dhe dritën e diellit. Nuk ishte “Napoleoni”, por ishte “një film i madh historik” që askush tjetër s’e kishte arritur.
A ishte tunduar ndonjëherë Kubrick, që t’i kthehej projektit të zemrës?
“Seriozisht, jo”, – thotë Harlan, “sepse e dinte, se nuk mund ta bënte të saktë vizionin e tij, nëse nuk kishte kohë dhe buxhet të madh. Televizioni nuk merrej parasysh. Por, tani kjo gjë ka ndryshuar”.
Në të vërtetë, televizioni vitet e fundit ka ndryshuar aq shumë në aspektin e shpenzimit dhe fushëveprimit, sa që shoku i Kubrick-ut, regjisori Steven Spielberg, ka folur për prodhimin e një mini-serie të bazuar në skenarin e “Napoleonit”. Në vitin 2013, Baz Luhrmann u përmend si regjisor i mundshëm, si dhe Cary Fukunaga (që aktualisht, xhiron filmin më të fundit të “Bondit”). Harlan është i bindur, se tani është koha e duhur.
“Teknikisht, televizioni është më praktik dhe i mundshëm. Një serial me shumë orë dhe kapituj është formati ideal për “Napoleonin” e Stanley Kubrick-ut”, – thotë ai. “Kjo do të ndodhë”!
Nuk mungojnë thashethemet, se regjisori tjetër i madh i kinemasë botërore, Steven Spielberg, është i frymëzuar nga vepra e pambaruar e Kubrick-ut, për një serial televiziv.