Tirana-Teuta, ndeshje e vlefshme për javën e dytë të Kategorisë Superiore, është mbyllur në barazim pa gola.
Ka qenë një ndeshje e veçantë ajo që është luajtur pasditen e sotme në “Selman Stërmasi” dhe jo në kuptimin e mirë të fjalës.
Në minutën e 22-të të sfidës, në fakt, takimi është ndërprerë për shkak të fikjes së disa prozhektorëve të stadiumit. Një problem ky që është zgjidhur pas rreth 30 minutash.
Me rifillimin e lojës ka ardhur edhe rasti më i dyshimtë i takimit. Hoxhallari ka provuar të befasojë Frashëri me një goditje të zgjuar dënimi, me topin që është larguar nga portieri i miqve, por imazhet nuk kanë qartësuar nëse sfera e kishte kaluar apo jo vijën fatale.
Topi i pritur nga Frashëri ka përfunduar në këmbët e Ngoo, i cili ka goditur traversën nga një pozicion shumë i favorshëm. Fati i keq e ka ndjekur Tiranën edhe në pjesën e dytë, kur një goditje e Hasanit nga brenda zonës së rreptësisë është ndalur nga traversa.
Rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund, me të dy skuadrat që kanë marrë nga një pikë. Një pikë që ka vlerën e fitores për durrsakët, duke parë rastet e shpërdoruara nga vendasit dhe golin fantazmë që pritet të shkaktojë shumë polemika.
Ka patur momente tensionin në fundin e takimit, me tifozët vendas që kanë hedhur një shishe drejt arbitri anësor, Egin Doda, “fajtor” për sinjalizimin e drejtë të një pozicioni jashtë loje.