MENU
klinika

Një mesazh për sipërmarrësit që u gënjyen

Rrjeti i falsifikuesve të biletave, reagon Braçe

29.08.2019 - 15:52

“Vazhdoni merreni me të qeshur, nuk është lojë!” Këtë mesazh jep zëvendëskryeministri Erion Braçe duke komentuar aksionin e fundit të policisë që zbuloi një rrjet të falsifikimit të biletave për transportin publik në Tiranë. “Paligjshmëria po u merr në qafë. Nuk u kërkon kurrkush asgjë tjetër veç të jeni të ligjshëm, të paguani taksat”, shkruan Braçe në rrjetet sociale.

Zëvendëskryeministri kthehet pas në kohë, dhjetorin e vitit të kaluar, kur pas miratimit të paketës fiskale, ka dëgjuar në Kuvend në emisionin e Ekonomisë ku ishte kryetar, përfaqësues nga sipërmarrja e transportit urban. Braçe shkruan se që në atë kohë e kishte kuptuar se xhiroja që ata deklaronin ishte mashtrim, përmes falsifikimit, vjedhjes dhe evazionit.  Braçe thotë se u gënjye sy më sy prej tyre, e madje kërkuan edhe rimbursim. “Aaa dhe një gjë. Mos gënjeni! Mbi të gjitha mos gënjeni duke e parë tjetrin në sy!”

“Më listuan disa shqetësime dhe për çdo shqetësim kishin edhe llogarinë pas, atë llogari ekonomike mbi bazë të të cilës kërkuan edhe një herë, ose subvencionim, ose rritje të çmimit të biletës, ose përjashtim ose ulje të tatimeve! Kur pashë të dhënat e Inspektorëve të Hetimit Tatimor Rajoni Qendror-ata zbuluan skemën, kuptova që xhiroja, të ardhurat e tyre, as që ishte reale; ishte produkt i falsifikimit, mashtrimit, vjedhjes dhe evazionit. Ishte më e vogël se realisht, thjesht e vetëm prej mashtrimit. Për pasojë, llogaria ekonomike që më bënë sy më sy ishte e rreme! Vijoj të mendoj se, mos dokumentimi i çdo transaksioni të kryer për t’i ikur tatimeve e taksave, për të marrë favore e deri rimbursim, është shkelje e shumëfishtë e ligjit. Ju merr në qafë”, shprehet Braçe.

Zëvendëskryeministri thotë se nuk ja vlen të shkelës ligjin duke fshehur të ardhurat për të mos paguar taksat, pasi kostoja është shumë e rëndë: Burgu!

“T’i hysh rrugës së mashtrimit edhe për 40 lek – siç këto biletat, nuk ja vlen, nuk ju duhet! Rrini të ligjshëm, fitoni atë që ju takon, paguani tatimet për atë që qarkulloni e për atë që fitoni; Shiheni, ju kushton shumë më lirë! Ne na duhet veç kjo; Të jeni të ligjshëm, të punoni e fitoni, nuk na duhet as bllokimi e nuk na duhen as prangat për ju! Veç atë që ka përcaktuar ligji!”, shkruan Braçe.

Në aksionin e policisë u arrestuan 8 persona, 4 pronarë të kompanive të transportit urban në Tiranë dhe 4 punonjës, të cilët përmes prodhimit të biletave të falsifikuara i shmangeshin detyrimeve tatimore. 

Sipas burimeve, përllogaritja e dëmit që i është shkaktuar shtetit arrin në 1 miliardë lekë. Dëmi fillon që nga prodhimi i tyre ku për një biletë i paguhet shtypshkronjës 8.4 lekë, e më pas TVSH mujore si dhe ne fund tatim fitimi i xhiros.